Ardian Ismajli është rikthyer titullar me Hajdukun e Splitit në momentin e duhur dhe ditën e sotme ka festuar fitoren me skuadrën e tij. Kundërshtari ishte Inter Zapreshiçi i Herdi Prengës, që e pësoi me rezultatin 3-0. Të dy mbrojtësit e kombëtares luajtën për 90 minuta.
Liridon Latifi një javë më parë ishte titullar me Pushkash Akademi, ndërsa sot zbriti në fushë në minutën e 89-të. Skuadra e tij u mund 3-2 nga MTK Budapest. Sulmuesi anësor nuk mundi të ndryshojë diçka në ato pak minuta që luajti.
I është gëzuar tre pikëve Fiorin Durmishaj, sulmuesi i Panionos që luajti 90 minuta në fitoren 0-1 që ekipi i i tij mori në transfertë kundër Xanthit të vendit të katërt. Fitore e vyer. Kozenca e Kastriot Dermakut po përjeton një krizë, teka në katër ndeshjet e fundit është mposhtur katër herë.
Sot ka qenë Leçe që ka fituar 2-3 dhe mbrojtësi i kombëtares ka qenë në fushë gjatë gjithë ndeshjes. Në të 85’ ai u ndëshkua edhe me karton të verdhë. Kozenca e pa veten në dizantazhin e dy golave, por reagoi duke barazuar. Gjithsesi Leçe shënoi tetë minuta nga fundi dhe fitoi.