Isko po përjeton një periudhë të vështirë, ndërsa ardhja e Solarit në stolin e Realit të Madridit e ka përkeqësuar situatën. 26-vjeçari nuk po aktivizohet dhe nga dita në ditë po shtohen shanset e largimit të tij.
Për situatën e krijuar ka folur dhe Rivaldo, ish-lojtari i Barcelonës. Braziliani, i cili ka fituar “Topin e Artë” në vitin 1999 (duke lënë pas Bekamin e Junajtd dhe Shevçenkon e Milanit) dhe Kupën e Botës me Brazilin në vitin 2002, ka treguar se e çmon shumë spanjollin.
Rivaldo shkon dhe më tej, duke treguar dëshirën e tij për ta parë Iskon të luajë me… Barcelonën. Diçka e tillë do të sjellë irritimin e tifozëve të Realit dhe vështirë që të ndodhë, por braziliani tregon se kjo është vetëm një dëshirë e tij.
“Do të më pëlqente ta shihja Iskon të luante me Barcelonën. Ai është një futbollist i jashtëzakonshëm dhe mendoj se kjo lëvizje do të ishte në të mirën e dy palëve. Mbetet një mundësi shumë e komplikuar, e vështirë për t’u imagjinuar që dy rivalë të mëdhenj të negociojnë për transferimin e ndonjë lojtari. Isko duhet të shohë përpara, të mendojë për ndeshjen e radhës dhe ta harrojë këtë situatë. Reali? Ka ardhur momenti të përforcohet, ekipi ka nevojë për një sulmues, një lojtar të aftë për të shënuar rregullisht”, përfundon Rivaldo.