Lacio pret Interin nesër në “Olimpico” dhe fjala e vetme që qarkullon në ambientin bardhekaltër është hakmarrja. Humbja e ndeshjes së fundit të sezonit të kaluar i la një shije të hidhur Lacios për mënyrën si erdhi, por dhe për faktin që humbën mundësinë e kualifikimit në Champions.
Simone Inzagi e pranon në konferencën për shtyp para ndeshjes se ky është një takim i veçantë për ekipin e tij, që do të kërkojë fitoren. Respekt dhe kënaqësi për të takuar ish-ët e kësaj ndeshje: De Vrij, Keita Balde dhe Kandreva. Më parë kanë luajtur në kryeqytetin italian, ndërsa nesër do të rikthehen si kundërshtarë. Kënaqësi për trajnerin lacial t’i takojë përsëri dhe vetëm falënderime për atë që kanë dhënë për ekipin dhe Simonen në veçanti.
INTERI – “Është normale të kemi një fokus të veçantë për këtë ndeshje. Interi është ndërtuar për të fituar titullin, por në këto vite kemi treguar se me shumë kujdes mund të përballemi në kushte të barabarta. Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne. E dimë mirë se çfarë ndodhi në 20 majin e kaluar dhe e kemi akoma në mendje. E dominuam atë ndeshje për 75 minuta, por në çerekorëshin e fundit e humbëm ndeshjen dhe kualifikimin në Champions. Nesër duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm.”
ISH-ËT E SFIDËS – “Nuk është vetëm De Vrij, por dhe Keita Balde e Kandreva. Janë tre lojtarë, të cilët më kanë dhënë shumë, ju kam dhënë shumë respekt dhe kam marrë të njëjtën gjë. Do i takoj me kënaqësi, sepse më kanë ndihmuar shumë në rrugëtimin tim si trajner.”