Hera e fundit që Pipo Inzagi është kryqëzuar me Shqipërinë ka qenë viti 1995. Parma-Teuta 2-0, Inzagi shënoi golin e tij të parë në kupat e Europës. Sot një prej shënuesve më të rëndësishëm të Serisë në dy dekadat e fundit është një nga kandidaturat më serioze për të marrë drejtimin e Kombëtares kuqezi, pas dorëheqjes së Xhani De Biazit. “Një ndër të shumtit”, të thonë zyrtarisht në korridoret e Federatës Shqiptare të Futbollit, ndërkohë që jo zyrtarisht presidenti Duka, i cili sipas statutit ka të drejtën ekskluzive të zgjedhjes së trajnerit, ka pasur një takim konfidencial me sekretarin e përgjithshëm të federatës italiane ,nga ku ka marrë, le të themi, një ‘feedback’ për punën e trajnerit. “Është i aftë, serioz dhe ambicioz”, mësohet të jenë shprehur krerët e futbollit i italian për të.
Nëse gjithçka shkon mirë, atëherë kushtet e bashkëpunimit do jenë relativisht si karta të hapura. Trajneri do fillojë punë për 4 ndeshjet e mbetura të këtij sezoni, do provojë gjithçka, pse jo dhe mrekullinë në Nation Cup dhe më pas do ketë detyrim kualifikimin e Shqipërisë në Euro 2020, ku ashtu si në Francë 2016 do marrin pjesë 24 përfaqësuese europiane. Në Nation Cup për momentin Shqipëria gjendet në brezin e tretë të Europës, së bashku me një grup prej 11-12 skuadrash të tjera dhe nëse del e para në fund të këtij minikampionati do shkojë direkt në evropian, duke luajtur vetëm miqësore në eliminatore.
Si lojtar, Inzagi është një emblemë e vërtetë. Ka shënuar 70 gola në kupat e Europës dhe më shumë se 280 gola në total. Si trajner, ka drejtuar Milanin dhe Venecian. Dy kanë qenë trajnerët italianë që kanë drejtuar deri tani Shqipërinë: Dosena që u largua pas 2 ndeshjeve zyrtare në 2002 dhe De Biazi që qëndroi më shumë se 5 vite dhe e kualifikoi Shqipërinë për herë të parë në një aktivitet të rëndësishëm futbollistik.