Luka Modriç shkëlqeu në “Rusi 2018” dhe është dëshira kryesore e Interit për mesfushën. Gjithsesi në Spanjë nuk kanë ndërmend ta lëshojnë. Hulen Lopetegui, trajneri i madrilenëve, pas miqësores me Juventusin, në lidhje me të ardhmen e kroatit, fillimisht është shprehur: “Presidenti është përgjigjur, nuk kam shumë gjëra të tjera për të shtuar. Modriç është një lojtar i jashtëzakonshëm, jam duke e pritur me krahë hapur”.
I pyetur nëse ka pasur një bisedë me vetë Modriç, kreu i pankinës deklaron: “Kam biseduar me të pas paraqitjes së shkëlqyer në Kupën e Botës dhe i kemi dhënë detyrat deri kur të rikthehet, më 8 gusht, kur të vijë të punojë dhe të shohim nëse mund të jetë gati më 15 gusht, në objektivin e parë të madh të sezonit. Ua kam thënë që është një lojtar që jam i dashuruar pas tij, e adhuroj dhe ai e di këtë. Ai është i lumtur që luan futboll, sikurse ishte që luan me Realin”.
Lopetegui nuk ka frikë për të ardhmen e Modriç dhe këtë e thotë hapur: “ Luka është një lojtar i Madridit dhe do vazhdojë të jetë, nuk kam dyshime. Jemi argëtuar e do vazhdojmë të argëtohemi”.