Handanoviç ka arritur në një moshë, ku nuk premton shumë dhe ardhja e një të riu është zgjidhja më e mirë. Inter me në krye Marotën e di mjaft mirë këtë pjesë dhe ka lëvizur në merkato. Ata kanë afruar një nga zbulimet e vitit mes katërkëndëshave.
Andrei Radu është lojtari më i ri i Interit. Gardiani shpërtheu këtë sezon me Xhenoan e më pas me Rumaninë në Kampionatin Evropian për të rinj. 22-vjeçari është rritur si pjesë e akademisë zikaltër, por ka kaluar kohë si i huazuar te Xhenoa. Këto të fundit e patën blerë kartonin e tij për 8 milionë euro vetëm pak kohë më parë.
Inter ka vendosur të aktivizojë klauzolën e riblerjes për ta bërë përsëri të tyrin. Megjithatë, rumuni do vazhdojë të jetë pjesë e Xhenoas me formulën e huazimit. Verën e ardhshme portieri do të vijë në “San Siro” për të mos u larguar më dhe për të marrë “frenat” e portës si zëvendësues i Handanoviç.