Me mbylljen e merkatos Inter po punon për rinovimin e kontratave të lojtarëvë më të mirë të skuadrës. Drejtuesit e klubit zikaltër po përqendrohen te dyshja: Mauro Ikardi dhe Milan Shkriniar, situata e të cilëve është e ndryshme.
E nisim me sulmuesin argjentinas. Ikardi përfiton një rrogë fikse prej 4.5 milionë eurosh në sezon, ndërsa në fundin e sezonit të kaluar rroga e tij shkoi në 5.3 milionë euro, për shkak të 29 golave të shënuar dhe kualifikimit në Champions.
Interi e vlerëson shumë sulmuesin dhe është gati t’i ofrojë një rinovim kontrate deri në vitin 2023 me një rrogë prej 5-6 milionë eurosh në sezon. Mbetet për t’u diskutuar çështja e shpërblimeve, por nuk ekzistojnë pengesa sa i përket kësaj çështje. Palët janë afër akordit dhe mbeten për t’u përcaktuar detajet e fundit të rinovimit.
Ndryshon situata sa i përket mbrojtësit sllovak. Shkriniar përfiton 1.7 milionë euro në sezon, ndërsa Inter i afron një rritje rroge duke filluar nga sezoni tjetër dhe deri në vitin 2022 dhe rinovim me një vit tjetër. Drejtuesit e klubit i premtuan mbrojtësit një rritje me 50% të shumës aktuale dhe rroga e tij do të shkojë në 2.5 milionë euro në sezon dhe rinovim më një vit, pra deri në vitin 2023.
Megjithatë, 23-vjeçari kërkon një rrogë prej 3 milionë eurosh në sezon. Bisedimet vazhdojnë dhe drejtori sportiv, Piero Auzilio po punon për të arritur marrëveshjet dhe rinovuar sa më shpejt kontratat e dy lojtarëve të rëndësishëm të Spaletit.