Luçiano Spaleti e quajti Interin “skuadër nervoze dhe jo në lartësinë e duhur”, pas eliminimit nga Champions League, me barazimin dëshpërues ndaj PSV-së në San Siro. Ishte një provë pjekurie, Interi dështoi sërish, duke shfaqur probleme të shumta dhe duke mos treguar personalitet.
Skuadra zikaltër luftoi deri në frymën e fundit sezonin e shkuar për t’u kthyer në Champions dhe këtë verë bëri merkato të mirë në pamje të parë, por gjithçka u shkri si sheqeri në ujë, sapo nisi futbolli i vërtetë, që është ai i Europës, shumë herë më i fortë dhe më cilësor se Seria A.
Kundër PSV-së Interi kishte gjithçka në favor: luante në shtëpi, 60 mijë tifozë me vete, motivim i madh krahasuar me një rival të eliminuar, por pikërisht holandezët ishin ata që impresionuan për lojën e mirë dhe motivimin e shfaqur.
Edhe pas barazimit me Ikardin, që u duk se dha shkundjen e madhe, Interi e uli ritmin dhe vetëm në fund, kur erdhi lajmi i barazimit të Totenhemit në Barcelonë, zikaltrit u kujtuan të sulmonin, një qëndrim tepër i gabuar, që u kushtoi shtrenjtë italianëve, në imazh, moral e financa.
E DHËNA E FRIKSHME – Në fillim ndodhi në Wembley, me Totenhemin, më pas me PSV-në. Interi pati dy raste ideale për të siguruar kualifikimin dhe në të dy rastet dështoi.
Gjashtë ndeshje në grup, të gjitha me një tipar të përbashkët mjaft domethënëse: skuadra e drejtuar nga Spaleti pësoi gjithnjë gol e para, duke realizuar përmbysjen ndaj Totenhemit në Itali e PSV-së në Holandë.
Në 7 ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet Interi ka fituar vetëm një herë, kundër PSV-së pritej fitorja që do i vinte kapak minikrizës, por tani është thjesht krizë, jo më ‘mini’. Nëse gjithë stadiumi të fishkëllen dhe tifozët dorëzohen që para pushimit, diçka mjaft negative po ndodh.