Goli i Felipe Kaisedos përballë Frozinones i dhuroi tre pikë të arta Lacios. Ekipi i Inzagit është ngjitur në vendin e shtatë me 35 pikë, një më pak se Milani i vendit të katërt. Çiro Imobile është një lojtar që nuk pushon kurrë së vrapuari.
Sulmuesi është ndjerë i lodhur në minutat e fundit të ndeshjes dhe ka sinjalizuar trajnerin për një gjë të tillë. Menjëherë ka ndërhyrë përgatitësi atletik i ekipit, Fabio Ripert, i cili ka këshilluar sulmuesin të ndëshkohet me karton të verdhë.
Lojtari ka pësuar gjatë ndeshjes një tërheqje muskulore, sot nuk është stërvitur me ekipin dhe është në dyshim për ndeshjen e radhës kundër Empolit (zhvillohet të enjten). Një gjë e tillë do të sillte plotësimin e kartonëve të verdhë dhe Imobile do të mungonte kundër ekipit të Veselit.
Megjithatë, Imobile nuk ia ka vënë veshin këshillës së Ripert dhe do të bëjë të pamundurën që të jetë gati për duelin e radhës. Nga ana tjetër, Françesko Açerbi ka thumbuar tifozët e Romës në fund të ndeshjes.
“Të fitosh është bukur, por ta bësh në një ‘derbi’ është akoma dhe më bukur. Tre pikë thelbësore për të vazhduar në realizimin e objektivave tanë”, shkruan Açerbi.
Vincere è bello ma farlo in un “derby” è ancora meglio. 3 punti fondamentali per continuare a combattere per i nostri obiettivi.#Acerbi #Ace #CMonEagles pic.twitter.com/CvIqeJVlTg
— Francesco Acerbi (@Acerbi_Fra) February 4, 2019
Mbrojtësi e ka cilësuar si një derbi ndeshjen me Frozinonen, ndërsa nuk kanë munguar komentet e tifozëve romanistë. “Ju vetëm këto lloj derbesh mund të fitoni”, ka shkruar dikush, ndërsa një tjetër ka shkuar dhe më tej: “derbi mes fshatarëve dhe barinjve”.
Frozinone cilësohet si një provincë në Romë, ndërsa tifozët e Romës e cilësojnë me përçmim dhe Lacion si rrethinë. Mbrojtësi ka reaguar dhe ka hequr fjalën derbi në postimin e bërë.