Mauro Ikardi është rikthyer në stërvitje me Interin. Sulmuesi u rikthye gjatë ditës së djeshme pjesë e grupit, pas një muaji e gjysmë mungesë.
Seanca stërvitore u ndoq nga Stiven Zhang. Presidenti shoqërohej nga Xhuzepe Marota, administratori i deleguar dhe Pier Auzilio, drejtori sportiv. Një sinjal i fortë i klubit, që kërkon mbylljen e kësaj çështje.
Interi duhet të arrijë me çdo kusht kualifikimin në Champions dhe ekipi ka nevojë edhe për golat e argjentinasit. Shumë lojtarë nuk ishin pjesë e stërvitjes, pasi shumë prej tyre janë të grumbulluar me ekipet kombëtare.
Një sinjal pozitiv ka dhënë dhe Marselo Brozoviç, i cili njihet si një nga “kundërshtarët” e ish-kapitenit. Mesfushori kroat ka pëlqyer një postim të “Sky Sports” në rrjetet sociale, që lajmëronte rikthimin e Ikardit në stërvitje.
Tashmë gjithçka është qetësuar dhe Ikardit i duhet të gjejë sa më shpejt formën fizike dhe të rikthehet të bëjë atë që di të bëjë më mirë, shënimin e golave aq shumë të rëndësishme në këtë pikë të sezonit për të ardhmen e Interit.