Juventusi nuk ia doli të triumfonte në Champions Ligë as sivjet. Trofeu më i rëndësishëm për klube mungon prej 23 vitesh në Torino, por kampionët e Italisë do të tentojnë sërish sezonin e ardhshëm.
Drejtuesit po punojnë për të përforcuar ekipin. Në këtë aspekt po ndihmon edhe Kristiano Ronaldo. Portugezi ka lënë shumë miq në Madrid dhe një pjesë e tyre do ishin gati ta kishin përsëri shok skuadre.
Kejlor Navas po kalon një sezon të vështirë, ashtu si i gjithë Reali i Madridit. Ardhja e Tibo Kurtua e ka ulur në stol portierin nga Kosta Rika. 32-vjeçari i përfundon kontrata me “Los Blancos” në fundin e sezonit të ardhshëm dhe rinovimi nuk ka ardhur ende.
Sipas raportimeve të “AS”, Ronaldo e ka ftuar gardianin të bashkohet me të te Juventusi. Ylli i bardhezinjve ka një konsideratë të madhe për Navas dhe e sheh si një përforcim me vlera për synimin e fitimit të Champions Ligës.