Milani ndodhet në një udhëkryq. Nesër duhet fituar ndeshja e fundit përballë Spalit, por kjo nuk mjafton. Kualifikimi në Champions është në dorën e Empolit dhe Sasuolos. Mjafton që njëra prej tyre të mos humbasë, përndryshe sezoni i kuqezinjve do të cilësohej i dështuar.
Nëse nuk sigurohet Championsi, Milani mund të pësojë një revolucion. Më saktë një largim të gjithë pjesës historike: Gatuzo, Leonardo dhe Maldini. Trajneri nuk e ka të sigurt qëndrimin, madje mediet italiane janë të bindura që kalabrezi po kalon ditët e fundit në Milanelo.
Të njëjtën rrugë mund të zgjedhë edhe dyshja drejtuese. Leonardo ia ka bërë të qartë presidentit Skaroni faktin që është ai përgjegjës për merkaton. Nëse çdo vendim i tij duhet konfirmuar nga Gazidis, braziliani do të ishte gati të largohet.
Në dyshim është edhe e ardhmja e ish-kapitenit legjendar. Largimi i Leonardos mund të ndikojë keq te Maldini, ndërsa është rritur shumë pushteti i Gazidis në klub. Afrikano-jugori është njeriu i besuar i fondit Elliot, ndërsa emra si Okampos dhe Monçi lakohen pranë Milanit.