Zlatan Ibrahimoviç ishte një ndër emrat më të përfolur në kuadër të merkatos së janarit. Gjiganti suedez shihej shumë pranë një transferimi te Milani, por ditët e fundit çdo gjë u zyrtarizua, me 37-vjeçarin që vendosi përfundimisht të vazhdojë të qëndrojë te Los Anxhelos Galaksi.
Në lidhje me çështjen e qëndrimit në Amerikë, suedezi ka folur për mediat, duke thënë se kurrë nuk u largua nga Los Anxhelosi. Gjithashtu, sulmuesi ka zbuluar se karriera e tij do të mbyllet në Amerikë. Ndër të tjera, Ibra tregoi se ende nuk ka ndryshuar, duke thënë se tani ndihet akoma më mirë fizikisht, pavarësisht se është 37 vjeç tashmë.
“U përfolën shumë gjëra, por unë kurrë nuk u largova. Nuk kam mbaruar akoma me MLS-në, kam akoma gjëra për të bërë. Sezoni im i parë ishte sa për nxehje, sezoni i dytë do të jetë ndryshe. Tani i njoh më mirë kundërshtarët e mi, por edhe kampionatin, për më tepër ndihem më mirë fizikisht. Erdha këtu për të mbyllur karrierën, jo për t’u larguar.”