Liverpuli është një ndër të paktat ekipe që në merkaton e janarit thuajse nuk është përmendur dhe aq shumë, si në hyrje po ashtu në dalje. Sidoqoftë, së fundmi “The Sun”, ka raportuar se Jurgen Klop prej kohësh ndjek mesfushorin e Sëlltikut, Xhejms Forrest.
Skocezi, i cili bëri dhe një paraqitje të shkëlqyer ndaj kombëtares sonë në “Loro Boriçi”, duke shënuar një dopietë, duket se është preferenca kryesore e trajnerit gjerman të “The Reds”. 27-vjeçari është aktivizuar në të gjithë karrierën e tij me Sëlltikun dhe ka një kontratë të vlefshme deri në vitin 2022.
Drejtuesit nga “Anfield”, pritet që të bëjnë një ofertë në drejtim të ekipit skocez, por gjasat më të mëdha janë që, Forrest të vishet i kuq për sezonin e ardhshëm. Kartoni i mesfushorit vlerësohet të paktën 8 milionë sterlina, që nuk pritet të jenë problem për Liverpulin, duke parë që është një kërkesë e numrit një të pankinës.