Vinsent Kompani është një nga pikat më të forta të Mançester Sitit dhe Belgjikës. Mbrojtësi potent po shijon një moment të bukur, po jashtë botës së futbollit. Babai i tij, Pierr Kompani është zgjedhur kryetari i Bashkisë së Ganshoren, duke u bërë kryebashkiaku i parë me ngjyrë në Belgjikë.
Kapiteni i Sitit ka postuar një video në rrjetet sociale, në shoqërinë e të vëllait, Francis Kompani, i cili aktivizohet me ekipin belg të KSV Roselares.
“Ke shkruar historinë! Jemi shumë krenarë për ty, baba. Erdhe nga Republika Demokratike e Kongos në vitin 1975 si emigrant dhe tani ke fituar besimin e bashkësisë lokale për t’u bërë kryebashkiaku i parë më ngjyrë në Belgjikë. Jemi shumë të lumtur. Ka qenë një kohë e gjatë, por është një hap i madh përpara”, përfundon lojtari 32-vjeçar.
Pierr Kompani hyri në politikë në vitin 2006 si këshilltar, ndërsa në vitin 2014 u bë pjesë e parlamentit rajonal të Brukselit. 12 vite pas futjes në politikë, ai u bë kryebashkiaku i Ganshoren, një qytezë e vogël me një popullsi mbi 20 mijë banorë.