Hysen Dedja paralajmëron Vllazninë: Kujdesu për Superioren, jo si Tirana!

Dje është mbyllur java e 12-të e Kategorisë së Parë me ndeshjen e Grupit A, Dinamo-Vllaznia 0-1. Një takim ky që ka pasur edhe momente tensioni, por në fund shkodranët dolën me tri pikë. Ndeshjen e ndoqi edhe ish-futbollisti e trajneri i kësaj skuadre, Hysen Dedja, i cili për SportEkspres.com deklaroi se fitorja e Vllaznisë ishte e merituar.

Hysen Dedja ka luajtur me skuadrën shkodrane për 17 vite (1978-1995), e në këtë periudhë edhe me Kombëtaren U21. Si trajner, Dedja ka provuar bankinat e 8 skuadrave në periudha të ndryshme, ndërkohë që në sezonin e kaluar, për disa muaj ishte në stolin e Lushnjes në Kategorinë Superiore.

INTERVISTOI: AGRON KAJA

Sa interes ka për ju Vllaznia në Kategorinë e Parë, e ndoqët në ndeshjen me Dinamo?
-Interesi për skuadrën mëmë është i madh, kudo që ajo të luajë. E ndoqa me shumë pasion këtë përballje dhe ja vlejti, sepse Vllaznia përpos fitores, tregoi se ka shumë diferenca me rivalët, në këtë rast Dinamon.

Mendoni se Vllaznia e meritoi fitoren minimale 1-0, apo mund të kishte ndonjë rezultat tjetër?
-Rezultat tjetër ndoshta po, dhe më i thellë për Vllazninë. Dinamo pretendoi për një penallti të mohuar, por unë në gjykimin tim asnjëherë nuk i kontestoj arbitrat në vendimmarrjet e tyre në fushën e lojës. Kjo ishte një fitore e rëndësishme me një nga rivalët direkt për kreun e Grupit A.

Në 12 javë Vllaznia ka arritur 10 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje, është kjo Vllaznia që bind për më shumë?
-Natyrisht që po, sepse nuk janë pak 10 fitoret në 12 ndeshje. Unë Vllazninë dua ta shoh më ndryshe, më të përgatitur për Superioren, që mos të ndodhë si me Tiranën, që pas ngjitjes në Superiore këtë sezon, në 16 javë nuk ka arritur të tregojë vlerat e saj, edhe pse ka një përbërje shumë të mirë.

Kategoria e Parë luhet në dy grupe, sipas jush, cili është më i fortë, A-ja apo B-ja?
Unë them se Grupi A është më i fortë, jo se aty është Vllaznia, por duket se ka më shumë konkurrencë. Ndërsa në Grupin B ka disa skuadra që kanë luajtur edhe në Superiore, por konkurrenca nuk duket e niveleve të Vllaznisë. Gjithsesi, ka ende për të parë në të dy grupet.

Të shtunën u luajtën të gjitha ndeshjet e tjera të javës së 12-të, ju si i lexoni teknikisht rezultatet?
-Teknikisht them se humbja e Erzenit e shkëput më shumë Vllazninë në kreun e Grupit A, ndërsa në Grupin B, Bylisi duket më kërkues për kreun, por do t’i ketë rivalë si Besën, Lushnjen, apo edhe Apoloninë. Për t’u përgëzuar fitorja e Elbasanit me Turbinën, që e ndau nga fundi i renditjes.

Që të mbyllet faza e dytë duhen edhe 6 javë, mund të presim ndryshime në këtë pjesë?
Natyrisht që po, por unë them se ndryshimet në skuadra do të vijnë pas merkatos së dimrit. Cila do të jetë më konkrete me blerjet që mund të bëjë, mendoj se do të jetë më pozitive në rezultate dhe më pranë synimeve. Ndryshime mund të ketë më shumë për kreun e fundin e Grupit B.

Ky sezon e ka nisur sigurinë në stadium me stjuartë, është koha e duhur për stadiumet shqiptare?
-Për temperamentin që kemi ne si shqiptarë, kjo ishte pak e shpejtë. Sepse ne jemi mësuar që, edhe me 20 vetë në stadium, të prodhojmë shfaqje nga më të ndryshmet në shkallët e stadiumit, që edhe policia e shtetit i ka të vështira t’i përballojë, jo më stjuartët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *