Elseid Hysaj kërkon rikthimin te fitorja. Ndeshja kundër Islandës nuk prodhoi rezultat, ndërsa nesër synohet fitorja përballë Moldavisë në Elbasan Arena.
Shkodrani i Napolit do të jetë sërish kapiten në mungesë të Mërgim Mavrajt. Hysaj flet për rolin e ri, analizon kundërshtarin dhe tregon mënyrën e duhur se si shkohet te tre pikët.
POZICIONI – “Është një rol i ri, por nuk e kam problem. Duhet të bëj më të mirën. Nuk prisja ta bëja aq mirë.”
KUALIFIKIMI – “Duhet të luajmë për rritjen e kombëtares, trajneri është i ri. E nisim nga zero për të ndërtuar një skuadër si dikur. Duhet koha e duhur që të punojmë.”
SHIRITI – “Kjo është zgjedhje e trajnerit. Jam gjithmonë i kënaqur të mbaj shiritin. Nuk është gjëja më e rëndësishme. Është një ëndërr që po më realizohet. Kushdo dëshiron ta mbajë shiritin e kapitenit.”
FINALIZIMI – “Duhet të ishim më konkrete në konkretizimin e aksioneve. Nëse do ndodhte, atëherë mund të fitonim me Islandën. Nuk besoj se kemi luajtur me top të gjatë. Kemi dashur të shkojmë të porta kundërshtare për të shënuar”.
TIFOZËT – “Jemi një skuadër që luajmë për kombin tonë, ata na kanë dhënë zemër. Sa më shumë tifozë të kemi, aq më shumë marrim zemër. Tani do vazhdojnë të vijnë, pasi po rritemi në lojë gradualisht.”
MOLDAVIA – “Do e mendojë edhe trajneri se çfarë duhet të bëjmë më shumë. Pjesa e finalizimit duhet të rregullohet, si dhe t’u shërbejmë sulmuesve. Besoj se do t’ia dalim të fitojmë.”