Elseid Hysaj është natyrisht shumë i mërzitur me ecurinë e kombëtares në ndeshjet e fundit, por nga ana tjetër është i bindur se kuqezinjtë nuk janë në fundin e një cikli dhe që në Izrael mund të vijë kthesa e madhe. Futbollisti i Napolit flet edhe për të ardhmen e vet dhe ka edhe një dedikim special.
Një nga momentet më të vështira që kur je në përfaqësuese.
Është një moment i keq, por janë gjëra që duhet t’i pranojmë. Nuk është vetëm një humbje në Luksemburg që na rrezon, or kjo humbje na ka vrarë shumë. Tani duhet të qëndrojmë bashkë dhe të luftojmë për ndeshjen në Izrael.
Si është atmosfera në grup?
Është një grup fantastik, jemi të bashkuar dhe do t’u tregojmë të gjithëve sa vlejmë, në ndeshjen në Izrael. Kemi humbur edhe ndaj Spanjës e Italisë, por ato janë humbje normale, të pritshme. Humbëm në Luksemburg, na vjen shumë keq, por grupi është shumë i bashkuar.
Rezultatet po mungojnë dhe ky është problem i madh, sepse loja nuk mjafton.
Po, jemi duke luajtur mirë, por natyrisht pa fitore loja e mirë nuk vlen, harrohet shpejt pa pikë. Megjithatë, loja është shumë e rëndësishme, duhet që të krijojmë një lojë dhe një taktikë tonën. Edhe nëpër klube kemi humbur ndeshje rresht, gjatë procesit të kërkimit të lojës së duhur. Shpresojmë të bëjmë kthesë në Izrael.
De Biazi tha që e ka bërë ekipin të fluturojë, ndërsa tani pret nga ju që të tregoni sa vleni.
De Biazi punën e vet po e bën, po na mëson si të qëndrojmë në fushë faktikisht, pastaj në fushë na takon ne, çfarë duhet të bëjmë. Ne i kemi treguar vlerat tona, në Europian e në ndeshje të tjera, ndaj do të mundohemi të fitojmë në Izrael dhe t’iu tregojmë botës kush jemi. Të gjithë kemi ambicie, na pëlqeu shumë prania në Europian dhe të gjithë dëshironim të ishim në Rusi. Duhet të mendojmë për të ardhmen, sepse duhet të tentojmë sërish të përsëritim atë që bëmë para Europianit.
Fundi i një cikli?
Fjalë shumë e madhe për ta thënë, sepse skuadra nuk ka marrë fund. Kemi ende për të treguar shumë, skuadra ka shumë lojtarë të rinj, edhe lojtarë si Kukeli kanë shumë eksperiencë dhe i duhen kombëtares. Nuk e shoh si fundin e një cikli.
Sa kanë ndikuar te ju zërat se De Biazi mund të largohet?
Në fakt, mediat aludojnë për shumë gjëra, për të shitur sa më shumë. Edhe për mua në Itali kanë shkruar shumë gjëra të pavërteta. Nuk na është thënë gjë nga trajneri dhe besojmë se do të qëndrojë.
Keni qëndruar gjatë, rreth një orë, me De Biazin pas Luksemburgun.
Janë gjëra që na përkasin ne, nuk mund t’i themi. Kemi biseduar, por janë mes nesh.
Nëse humbasim edhe në Izrael, humbja e gjashtë është e rëndë.
Për mua është finalja e vitit, sepse mbaron sezoni dhe dua të shkoj në pushime i qetë dhe i gëzuar. Kjo vlen për të gjithë, sepse duam të kthehemi në Shqipëri me kokën lart dhe nuk duam që njerëzit të na pyesin ‘si humbët, pse humbët’, etj. Kam besim se do t’ia dalim.
Shiriti i kapitenit, Memushaj, Hysaj, Mavraj, si funksionon?
Nuk është një problem shiriti, ta mbajë kush ta mbajë, të gjithë zbresim në fushë për të dhënë maksimumin. Flitet shumë për shiritin, por jemi të gjithë kapitenë, nuk ka rëndësi kush e mban shiritin, rëndësi ka fitorja.
E ardhmja e Hysajt?
Ndihem mirë te Napoli, besoj do të qëndroj. Napoli është qytet fantastik, skuadra po luan futboll fantastik. Do të mundohemi të fitojmë diçka sezonin e ardhshëm, pastaj do të flasim sërish.
Humbja në Elbasan me Izraelin?
Ajo ishte ndeshje e çuditshme, që rrallë të ndodh, sepse gjithçka na eci kundër në çdo drejtim, kartonët, penalltia, etj. Edhe me 10 lojtarë u munduam gjatë, luajtëm mirë, por nuk na eci.
E fundit?
Po, kam një dedikim: sot bëj një vit lidhje me bashkëshorten time dhe e përshëndet, ia kushtoj këtë përshëndetje, meqë jemi larg.