Mateo Kovaçiç verën e këtij sezoni kaloi nga Reali i Madridit në drejtim të Londrës, për të veshur fanellën e Çelsit. Sezoni deri tani ka qenë pozitiv për kroatin, i cili ka marrë shumë minuta dhe është një titullar thuajse i padiskutueshëm te blutë e Londrës.
Mesfushori përfundon periudhën e huazimit në fund të këtij sezoni dhe parashikohet që të rikthehet në Madrid, por sipas asaj që raporton prestigjiozja spanjolle “AS”, kroati nuk do të qëndrojë te Reali. Madrilenët duket se nuk e kanë pritur mirë sjelljen e Kovaçiç në verë dhe kanë vendosur që ta largojnë këtë të fundit.
Destinacioni më i mundshëm pritet të jetë pikërisht Çelsi, pasi blutë duket se e konsiderojnë mjaft të vlefshëm mesfushorin 24-vjeçar dhe mund të futen në diskutime me Realin për blerjen përfundimtare. Marrëdhëniet midis dy klubeve gjithashtu janë mjaft të mira, mjafton të kujtojmë transferimet e Moratas apo Kurtua këtë verë.