Hoxha: Teuta është shtëpia ime, do i arrijmë të gjitha objektivat

VERONIK ISTREFAJ

Rustem Hoxha u rikthye te Teuta pas dy sezonesh dhe duket mëse gati për startin e sezonit. Pasi u aktivizua si titullar në dy takimet kundër Ventspils (Kualifikuese, Europa League), 28-vjeçari e ka kthyer fokusin e tij te fillimi i kampionatit shqiptar.

Në një intervistë për Sport Ekspres, Hoxha tregoi pse zgjodhi rikthimin te Teuta, ambientin që gjeti në skuadër dhe objektivat e sezonit. Në fjalën e tij, mbrojtësi u shpreh:

U rikthyet te Teuta pas dy sezonesh. Pse e bëri Hoxha këtë zgjedhje?

“Teuta është shtëpia ime dhe ishte një vlerësim shumë i mirë që më bëri presidenca dhe profesor Shkëmbi. I falënderoj për besimin. Shpresoj që t’ua shpërblej besimin me paraqitje shumë të mira dhe me arritjen e objektivave në fund”.

Si e keni gjetur skuadrën pas rikthimit?

“Këtu gjeta një ambient shumë të mirë, të ngrohtë, me një grup futbollistësh shumë të mirë e cilësorë, si dhe me një staf shumë të përgatitur”.

Deri ku mund të arrijë kjo Teutë?

“Mendoj se kemi një skuadër të mirë, me një grup futbollistësh cilësorë dhe me talente të rinj. Po stërvitemi shumë mirë, kam besim se në fund do t’i arrijmë të gjitha objektivat që do të na vendosë klubi”.

Si e shikon faktin që janë shtuar futbollistët durrsakë në skuadër?

“Është diçka shumë pozitive, pasi janë lojtarë që e njohim ambientin. Mbi të gjitha, janë dhe lojtarë cilësorë e shumë të mirë, e kanë vërtetuar kudo ku kanë luajtur. Është diçka e mirë, si për klubin, ashtu dhe për tifozët. Shpresoj që këtë sezon ta kemi tifozerinë edhe më afër”, përfundoi Hoxha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *