Gonzalo Higuain kaloi në verë te Milani, por eksperienca me ekipin e “Djallit” nuk shkoi në mënyrën e duhur. Sulmuesi shënoi pak dhe në janar vendosi të transferohej në Premier Ligë te Çelsi për të punuar përsëri me Mauricio Sarrin.
Lidhja mes tyre është e fortë që nga koha kur ishin pjesë e Napolit dhe Pipita nuk u mendua dy herë për të braktisur Milanin. Në një prononcim për “Sky Sport”, Higuain flet për aventurën e re, trajnerin Sarri, gjashtë vitet e kaluara në futbollin italian dhe vështirësitë e hasura me ekipin e Gatuzos.
ÇELSI-SARRI – “Jam shumë i lumtur që kam ardhur te Çelsi, që është një klub i madh me një stadium të bukur, aty ku provon një eksperiencë fantastike si futbollist. Shpresoj që kjo skuadër të arrijë rezultatet që meriton me kalimin e kohës. Sarri është trajneri që ka nxjerrë më të mirën time në karrierë. E njoh mirë dhe më njeh mirë. Shpresoj që të rikthehem në nivelin që kisha te Napoli dhe kjo është ideja kryesore. Sarri më njeh, më ndihmon dhe di të nxjerrë më të mirën time.”
SERIE A – “Mendoj se rrugëtimi im në Itali u kompletua pas 6 viteve. Pas Napolit kalova te Juventusi dhe fitova dy tituj kampionë, pa harruar finalen e Champions Ligës. Është e vërtetë, kalova muaj të vështirë me Milanin, por nuk mendoj se niveli im ra me kuqezinjtë. Pas sezonit rekord me Napolin, ka qenë e vështirë të jetoja me krahasimin e bërë.”
MILANI – “Pas gjashtë muajve të komplikuar, shpresoj të rifitoj formën time më të mirë me Sarrin dhe Çelsin. Arrita shumë objektiva në gjashtë vitet e kaluara në Itali. Thirrja nga Anglia ishte shumë joshëse për t’u refuzuar. Nuk ngurova asnjë moment përpara mundësisë për të rigjetur Sarrin. Jam krenar që ndodhem në këtë klub të madh dhe shpresoj të jap më të mirën time.”