Elton Nika
Pasi ka zyrtarizuar dy ditë më parë Ditmar Bicajn dhe pret një përgjigje nga Edon Hasani, Flamurtari është gati për goditjet e radhës në merkato. Ka në përbërje disa lojtarë për mbrojtjen, siç janë Bicaj, Veliu, Jakovljeviç dhe Mersini, por ekipi vlonjat pritet të afrojë për këtë repart edhe një lojtar nga Maqedonia, si dhe të rikthejë Hektor Idrizajn, i cili ka mbyllur aventurën me Skënderbeun. Kështu, trajneri Duro do të kompletonte prapavijën për sezonin e ri. Në klubin vlonjat thjesht pohojnë se ka bisedime me një futbollist nga kampionati maqedonas dhe ai mund tw jetw Cuculi, qw trajneri Shpëtim Duro e njeh mjaft mirë. Trajneri kryeqytetas kërkon të shfrytëzojë këto njohje për ta përforcuar Flamurtarin me lojtarët e duhur dhe ditët e ardhshme pritet zyrtarizimi i radhës në kampin kuqezi. Drejtuesit vlonjatë janë duke punuar në heshtje, pa shumë zhurmë në merkato. Afrimet nga kampionati maqedonas tashmë nuk janë vetëm një dëshirë.
IDRIZAJ – Por përforcimet nuk do të vijnë vetëm nga kampionati maqedonas. Në skenë ka dalë dje edhe emri i Hektor Idrizajt, mbrojtësit vlonjat që sapo mbylli aventurën e tij te Skënderbeu. Emri i tij mësohet se është përmendur në klubin kuqezi për një rikthim të mundshëm. Idrizaj do të ishte një përforcim me vlera, jo vetëm se e njeh mjaft mirë ambientin në ekip, por edhe për faktin e luan në të dy krahët e mbrojtjes. Burime nga klubi vlonjat kanë saktësuar për gazetën dje se për momentin bëhet fjalë vetëm për hipoteza dhe se ditët në vazhdim mund të ketë bisedime konkrete. Një gjë është e sigurt, në Vlorë duan të mbyllin sa më parë mbrojtjen dhe më pas të bëjnë përforcime për mesfushën dhe sulmin. Një emër, që qarkullon gjithmonë e më shumë, është mesfushori shkodran Edon Hasani, por ende nuk mund të flitet për diçka zyrtare. Nga Flamurtari është larguar zyrtarisht Donjet Shkodra, i cili ka kaluar te Skënderbeu. Pritet të ikin edhe futbollistët brazilianë, me përjashtim të Danilo Alveshit, por mbetet për t’u konfirmuar ky fakt. Në fakt, mbrojtësi Mauricio Leal është pëlqyer shumë nga tifozët vlonjatë, të cilët duan që ai të qëndrojë.