Golat e Zhorzhinjos dhe Gonzalo Higuain I dhanë fitoren Çelsit në transfertën e Fulhemit. Trepikësh shumë i rëndësishëm për ekipin e Sarrit, që përfitoi nga barazimi midis Totenhemit dhe Arsenalit.
“Blutë e Londrës” renditen në vendin e gjashtë me 56 pikë, dy më pak se Junajtid i vendit të katërt. Këto dy ekipe do të luftojnë fort deri në fund bashkë me Totenhemin dhe Arsenalin për dy vende në katërshen e parë (Siti dhe Liverpuli kanë një tjetër garë midis tyre).
Eden Hazard kla folur për kanalin e klubit, duke analizuar objektivin e kualifikimit në Champions. Belgu e di që ekipin e tij e pret një luftë e fortë, ndërsa ka një koment dhe për portierin Kepa dhe mesfushorin Zhorzhinjo.
“Diskutuam me njëri-tjetrin në dhomat e zhveshjes për ndeshjen Totenhem-Arsenal. Të dyja ekipet humbën nga dy pikë, ndërkohë që ne fituam me Fulhemin. Do të jetë një luftë e fortë deri në fund për një vend në katërshen e parë, sepse janë 6 skuadra që luftojnë për 4 vende. Mungojnë dhe 11 ndeshje deri në fund dhe do të tentojmë të mbledhim sa më shumë pikë. Kepa? Nuk ka qenë një javë e lehtë për të, por ai është një portier i madh dhe një djalë fantastik. Kepa ishte deçiziv kundër Fulhemit, pasi kreu një pritje shumë të mirë pas golit të Zhorzhinjos. Edhe ky i fundit po luan mirë dhe përcakton ritmin e ndeshjes. Kemi shumë nevojë për një futbollist me karakteristika të tilla“, përfundon fantazisti i Çelsit.