Tirana e mbylli me fitore vitin, pasi mundi Flamurtarin me një gol të shënuar nga Edon Hasani. Goli i realizuar nga shkodrani është përzgjedhur më i bukuri i muajit dhjetor, ndërkohë që mesfushori ndihet i vlerësuar dhe këtë e shpreh në intervistën e dhënë për Telesport.
“Sigurisht që ndihem i vlerësuar. Goli të motivon shumë si në aspektin personal ashtu dhe atë kolektiv. Goli kishte vlerën e 3 pikë dhe i shënuar në minutat e fundit, pas atyre rasteve të humbura, i jep akoma më tepër rëndësi. Shpresoj të marr dhe lojtarin e muajit tani (Qesh)”, është shprehur fillimisht Hasani, i cili është edhe shënuesi më i mirë i Tiranës me pesë gola të realizuar.
EKSPERIENCA ME BARDHEBLUTË – “Tirana është Tirana. Klub legjendë me shumë tituj të fituar, por mungesa e një titulli vitet e fundit e ka shtuar presionin. Ishte një hap i madh të nënshkruaja me Tiranën, jam ndjerë i mirëpritur dhe i motivuar për të dhënë sa më shumë nga vetja. Më vjen keq që nuk po e gëzojmë si duhet këtë klub të madh, por me shpresën që do e bëjmë në të ardhmen”.
AMBIENTI – “Jam ndjerë shumë mirë dhe jam ambientuar shumë shpejt. Te Tirana nuk të pret dot njeri, por duhet të shtrëngosh dhëmbët për të dhënë më të mirën për fanellën”, shtoi mesfushori shkodran, që sezonin e shkuar e mbylli në Iran te Sepahani.
NISJA JO E MIRË – “Për fat të keq kemi vuajtur nga gabime individuale, gabime që na kanë kushtuar. Gjëra të tilla ndodhin në futboll. Kur flas për gabime, them dhe rastet e humbura para portës, pavarësisht se jemi ndër 3 skuadrat që kemi shënuar më shumë. Bashkë me trajnerin jemi munduar që t’i gjejmë dhe të mos i përsërisim problemet”.
OBJEKTIVI – “Me punën që po bëjmë dhe me pak fat shpresojmë që minimalisht të kapim Kupat e Europës, pasi nuk e meritojmë aspak pozicionin që kemi. Tifozët tanë e kanë parë që 90% të ndeshjeve i kemi dominuar, por dhe fati na ka ndëshkuar. Duhet të jemi më të qetë dhe më të përqendruar në vazhdim”.
NDRYSHIMI MES ZE MARIAS DHE MEMËS – “Nuk është mirë që të flasim për trajnerë. Janë dy karaktere të ndryshme. Ze Maria ishte tepër autoritar, ndërsa Mema i merr të gjitha përgjegjësitë vetë për të na mbajtur sa më larg trysnisë së rezultateve. Një arsye që duhet të kthejmë situatën është dhe për trajnerin, i cili ka lidhje të madhe me këtë klub e me këtë fanellë”.
E ARDHMJA – “Kam nënshkruar një kontratë me Tiranën dhe kam dëshira ta respektoj deri në fund. Nëse do të ketë ndonjë lëvizje, besoj që do të kem mirëkuptimin e presidentit për një të mirë të përbashkët. Aktualisht nuk mendoj asgjë në këtë aspekt”.