Eraldo Harlicaj
Në Shkodër futbollin e kanë në gjak, e kanë si oksigjenin, mjafton të kujtosh skenat drithëruese të Vllaznia-Tirana dhe të kujtosh emrat e mëdhenj që i ka dhënë Shkodra futbollit shqiptar, pa harruar që Vioresin Sinani e Hamdi Salihi, për shembull,m kanë vendosur rekorde golash në rang kombëtar. Nuk po zgjatemi me nostalgjinë, ndalemi tek e tashmja dhe e ardhmja: kundër Tiranës Vllaznia ishte “bio”, me djem thuajse të gjithë Under-23. Natyrisht, nuk mund të mungonin në stadium vëzhgues që nuk e kishin mendjen se kush binte nga kategoria, por si do të paraqiteshin talentet e rinj, në të dy krahët. Vllaznia nuk mund të mos habiste dhe disa lojtarë të saj që tani janë drejt transferimit në kampionate më cilësorë, që do t’u hapnin rrugën për në Europën e vërtetë, atë të futbollit profesionist dhe jetës që e ëndërrojmë. Tani “Sport Ekspres” mëson të rejat e fundit nga Shkodra dhe ndërsa të gjithë presin kthimin e ndonjë shkodrani në shtëpi, të tjerë rriten e bëhen gati të nisin fluturimin, duke nisur nga Rubin Hebaj e Eraldo Çinari. Të dy kanë shkëlqyer këtë sezon, të dy janë “fëmijë”, nga ata që po të rriten si duhet, bëhen “flori” për vete e për klubet që i marrin.
HEBAJ – Nuk ka mbushur ende 19 vjeç, por Hebaj është që tani një xhevahir, nga ata që mund të quhen e ardhmja e futbollit shkodran. Për të mirën e tij, por edhe të Vllaznisë, e ardhmja duhet të jetë jashtë Shqipërisë dhe tashmë ka ardhur oferta e parë vërtet serioze. Klubi slloven Domzhale e kërkon që tani sulmuesin dhe jo sa për numër. Sllovenët janë të zgjuar, shumë më përpara se ne: Hebaj është 18 vjeç dhe ka shënuar 4 gola këtë kampionat, edhe pse në vetëm 8 ndeshje nga minuta e parë, vlera e tij në treg është shumë e ulët në krahasim me atë që mund të shkojnë për 2-3 vjet. Vllaznia e di mirë këtë gjë, por nuk ka shumë në dorë: në Shkodër Hebaj rrezikon të digjet, jo për faktin se nuk do të punohej mirë me të, por gjendja e Vllaznisë dhe mungesa e vitrinës evropiane do ta dëmtonin shumë talentin e Shqipërisë U-21, i cili shkëlqeu edhe para dy ditësh ndaj Estonisë. Domzhale e mbylli sezonin e fundit në vendin e katërt në Slloveni dhe fitoi edhe kupën, ndaj do të marrë pjesë në Europa League, si zakonisht në dekadën e fundit. Bisedimet kanë nisur me kohë dhe Hebaj është gati, mjafton që Vllaznia të japë “OK”. Natyrisht, klubi shkodran do pagesën e vet, ose një pjesë të kartonit, por përshtypja është se 90% e punës është kryer tashmë.
ÇINARI – Një ndër emrat e fundit që ka shpërthyer në Shkodër është ai i mesfushorit Erald Çinari. Ai ka 3 vite me ekipin e parë, edhe pse është vetëm 20 vjeç. Është kthyer në titullar fiks te Vllaznia dhe në dy sezonet e fundit ka luajtur në Superiore mbi 3500 minuta. Paraqitja e tij e mirë me kuqeblutë ka bërë që futbollisti të zgjojë interesin e ekipeve edhe jashtë vendit. Largimi i tij nga Shkodra është shumë afër dhe pista më e mundshme është Kroacia. Interesimi për mesfushorin e avancuar është konkret. Burime pranë lojtarit bëjnë të ditur për “Sport Ekspres” se bisedimet me klubin me të cilin do të bashkohet, janë në fazën përfundimtare. Emri i klubit nuk bëhet ende i ditur, por e rëndësishme për të është se sezoni i ri do ta gjejë, me shumë mundësi, me një skuadër të re. Shpesh për futbollistët e rinj shkodranë janë bërë pengesë kontratat afatgjata dhe shumat e larta të kartonit. Këtë radhë duket se diçka e tillë nuk do të jetë problem, pasi Çinari ka folur me drejtuesit e klubit kuqeblu dhe në ditët në vijim pritët një takim mes tij, drejtuesve të Vllaznisë dhe atyre kroatë. Këta të fundit do të vijnë në Shkodër për të mbyllur transferimin e Çinarit. Duke qenë produkt i Vllaznisë, lojtari nuk mund të largohet pa u derdhur një shumë e caktuar në arkën e klubit kuqeblu, ndaj duhet bërë gjithçka me marrëveshje. Nuk do të ishte etike, që Çinari të largohej me polemika. Gjithçka do të bëhet qetësisht dhe do të finalizohet, nëse mbeten të gjithë të kënaqur. Çinari ka debutuar në moshën 17-vjeçare dhe deri tani ka luajtur 74 ndeshje me fanellën kuqeblu, duke shënuar 10 gola. Herë mesfushor dhe herë sulmues, sipas nevojës, Çinari është një lojtar shumë i vlefshëm në aspektin taktik për çdo trajner, ndaj edhe menaxherët e huaj e kanë piketuar.