Kukësi e mbylli sezonin me fitimin e Kupës së Shqipërisë, ndërkohë që tanimë në kampin verilindor mendohet për merkaton. Janë disa lojtarët që kanë ikur dhe spikasin emrat e Rexhinaldos dhe Uilliam Kordeiros, të cilët nuk rinovuan kontratat me klubin e financuar nga presidenti Safet Gjici.
I pari që ishte përshëndetur me lojtarët ishte portieri Maurice Gomis. Klubi i Kukësit ka dalë edhe me njoftim për largimin e tij “gardianit”, që luajti vetëm 90 minuta në ndeshjen e fundit të kampionatit me Kastriotin. Tanimë ai rikthehet sërish në Itali dhe Kukësi po kërkon për një tjetër portier.
“F.K. Kukësi njofton përfundimin e bashkëpunimit me portierin Maurice Gomis. Shtatlarti, i ardhur te skuadra jonë në formë huazimi gjatë merkatos së dimrit, do të rikthehet te ekipi i Spal-it. Klubi falënderon portierin Maurice Gomis për kontributin e dhënë në skuadrën tonë dhe i urojmë suksese në karrierë!”, shkruhet në njoftimin e Kukësit.