Marek Hamshik është një ndër lojtarët që ka bërë epokë në ekipin e Napolit, duke u shndërruar në një simbol, jo vetëm për ekipin e futbollit, por edhe për të gjithë qytetin. Sllovaku ka folur për mediat italiane për mbylljen e vitit, duke bërë një përmbledhje dhe duke folur gjithashtu dhe për objektivat e vitit të ardhshëm dhe se si janë adaptuar me trajnerin e ri, Ançeloti.
VITI 2018 – “E nisëm vitin në krye, duke luajtur mirë. Sidoqoftë, nuk mundëm ta mbanin dhe Juventusi e fitoi kampionatin. Gjithsesi, akoma e mbaj mend mirëpritjen që na bënë trifozët pasi u kthyem nga fitorja në Torino me Juven. Gati 25 mijë njerëz po na prisnin në aeroport. Çdo gjë është e mundur në kampionat”.
SEZONI AKTUAL – “Është një turp që jemi jashtë Championsit edhe pse luajtëm disa ndeshje të shkëlqyera me kundërshtarë mjaft të vështirë. Do të vazhdojmë në Europa Ligë dhe duam të shkojmë sa më larg të jetë e mundur”.
NAPOLI – “Jam pjesë e historisë së këtij klubi dhe jam krenar për këtë gjë. Tifozët janë fantastikë dhe dua ti jap sadisfaksionin që ata meritojnë. Kemi një trajner si Ançeloti, i cili ka fituar shumë në karrierën e tij. Kemi ndryshuar mënyrën e lojës me të në krye, por po bëjmë mirë. 2019 do të jetë e rëndësishme”.