Hallaçi: Tregova sa vlej, vjet nuk m’u dha haku

Rraman Hallaçi, kapiteni i Kukësit, ka folur mbrëmë në “Supersport” gjatë festës së titullit, duke theksuar se rruga e verilindorëve drejt trofeve nuk ka mbaruar, ndërkohë që nuk i mohon emocionet për fitimin e titullit. “Ishte një cikël 5-vjeçar, që mendoj se nuk ka mbaruar akoma. Kemi sjellë tre trofe dhe mendoj se do vazhdojmë të sjellim trofe, pasi investimi është i sigurt nga ana e presidentit. Jam larguar 15 vjeç nga Kukësi dhe nuk e kisha menduar që ky klub do arrinte në këto nivele. Jam shumë i emocionuar që arrita ta marr titullin e parë me skuadrën e vendlindjes”.

Mbrojtësi i djathtë më pas është pyetur mbi luhatjet e tij, por ai nuk ka pranuar që te ketë pasur, madje sezonin e shkuar, kur Klodian Duro drejtonte ekipin, ai është ulur padrejtësisht në stol. “Luhatje unë nuk kam pasur aspak, por edhe kur ndoshta jam ulur në stol, jam ulur padrejtësisht. Këtë e them me pastërti, sepse e kanë treguar ndeshjet këtë gjë. Gjithsesi i kam harruar të gjitha. Pikërisht pas këtyre problemeve unë e tregova që jam i zoti për të arritur atë që kisha premtuar, të marr trofe me Kukësin. Besoj se e kam bërë mirë. Unë kam qenë profesionist dhe do të jem gjithmonë. Pavarësisht se e mbajti dikush tjetër shiritin e kapitenit, unë sërish dhashë maksimumin. Nuk ishte ideja që unë me patjetër të isha kapiten, thjesht nuk doja që askush të më hante hakun. Këtë e kam treguar më së miri dhe jam tani kapiten. Të gjithë janë kapitenë, nuk ka asnjë problem për mua, por ishte shumë e rëndësishme për të treguar se nuk ishte vendi im për të qëndruar në stol, por vendi im është në formacion. Mendoj se kam bërë mirë dhe e kam treguar këtë gjë”, shtoi ndër të tjera Hallaçi, që në fund foli edhe për të ardhmen: “Kam ende për të dhënë, po e tregoj në fushë që kam gjendje të mirë fizike. Shumë e rëndësishme për mua ka qenë se nuk kam pasur asnjë dëmtim. Dua të jem në fushë pse jo edhe dy vite. Do bisedoj me drejtuesit dhe na duhet merkato. Do mbetem te futbolli, kam përfunduar kurset UEFA B dhe UEFA A për trajner. Kam biseduar me presidentin Gjici, e kam mikun tim dhe më ka thënë që deri në momentin që ti do thuash jo, do kesh mundësinë të luash dhe gjej rastin ta falënderoj. Më pas më ka premtuar që do jem në stafin drejtues”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *