Hakmarrja e madhe e Ben Arfa: PSG është mësuar me remontada

Në përmbysjen e mbrëmshme të Rënesë ndaj Parisit, askush nuk mund të ishte më i lumtur se Hatem Ben Arfa. Fantazisti në periudhën që ishte pjesë e kampionëve hasi shumë vështirësi për të gjetur minuta dhe dëshironte të largohej.

Klubi parizien nuk e lejonte lojtarin të ikte pa mbaruar kontrata dhe u krijua një ngërç i madh, me debate të egra, akuza. Për këtë Ben Arfa i është drejtuar edhe gjykatës dhe gjyqi vazhdon, pasi mesfushori kërkon dëmshpërblim për dëme morale. Pas asaj eksperience, “varka e shpëtimit” për të ishte klubi i Renës.

32-vjeçari ishte natyrisht i ekzaltuar pas fitimit të kupës të shtunën në mbrëmje, hakmarrja e madhe personale. Të gjitha padrejtësitë që i janë bërë nga PSG-ja i sheh të paguara me këtë kupë. Mllefin më të madh e ka me presidentin Al Kelaifi, të cilin e këshilloi të sillet mirë sepse çdo gjë kthehet mbrapsht.

“Ky është titulli më i madh në karrierën time. Realizuam një remontada, por PSG është mësuar tashmë me të tilla gjëra. I pata thënë presidentit se gjithçka do të kthehej mbrapsht një ditë. Kur nuk silleni në mënyrë njerëzore, do të paguani më vonë për këtë.

“Një ditë edhe Rabiot do të kthehet ta lëndojë PSG-në gjithashtu, kjo është jeta. E dua klubin e PSG-së, kam bërë tifo që i vogël për ta. Problemi atje janë njerëzit që drejtojnë”, përfundoi Hatem Ben Arfa.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *