Fati rezervoi një surprizë të hidhur për boksierin me famë botërore, Antoni Xhoshua. Kampioni i peshave të rënda ka rënë pre e grabitjes gjatë momentit kur boksieri ishte në gjumë. Hajdutët janë futur në vilën luksoze të anglezit në Londër dhe kanë ikur me makinën e 28-vjeçarit.
Bëhet fjalë për një veturë të markës “Land Rover”, modeli “Range Rover”, krejtësisht e personalizuar enkas për kampionin e boksit me vlerë 200000 euro. Sigurisht, për Xhoshuan nuk do të jetë problem blerja e një makine të re, pasi ai ka fituar mbi 50 milionë euro nga 21 duelet e tij.
Më datë 22 shtator, Xhoshua do të presë në “Wembley” boksierin rus Aleksander Povetkin dhe në rast të një fitoreje, kundërshtari i ardhshëm për 28-vjeçarin do të jetë fituesi i duelit midis Deontei Uajlldër dhe Tajson Fjurit.