Gvozdenoviç: Nga Tirana më largoi Ze Maria

0

Ivan Gvozdenoviç shfryn ndaj trajnerit brazilian të bardhebluve Ze Maria, i cili me sa duket e ka larguar nga Tirana me “lezet”, duke e postuar në hierarki, duke qenë se erdhi nga Afrika me stafin e vet me vete. Në një intervistë për Supersportin, ish-zëvendëstrajneri i Tiranës shpjegon pse është transferuar te Kukësi: “Tirana kaloi një moment shumë të vështirë, por ishte një eksperiencë shumë e madhe për mua, ia kalova shumë mirë. U largova sepse unë jam trajner i parë ose i dytë, jo i katërt apo i pestë. Ai zotëri, Ze Maria, ka ardhur me stafin e vet dhe unë nuk isha i kënaqur ashtu. Më mirë te Kukësi, një klub kampion, të shohim. Gjithsesi, kam respekt për Tiranën, klub i madh, më i miri në Shqipëri. Kam besim se Tirana do të ringrihet”.

Tashmë vijon puna me Milinkoviç, te Kukësi, ashtu si para pak kohësh kur Gvozdenoviç drejtoi për disa javë në Kukës, sërish si ndihmës i një tjetër serbi, Miodrag Radanoviç.

“Jam përsëri pjesë e Kukësit, më kërkoi Milinkoviç, një trajner shumë i mirë, me të cilin uroj të kem sukses. Herën e fundit te Kukësi kisha si lojtar-ndihmëstrajner, ndërsa tani vij me rol më të qartë”.

Prej 7 vitesh në Shqipëri, Gvozdenoviç nuk e ka problem fare faktin që është një serb në Shqipëri, ashtu si Milinkoviç, dhe nuk merret fare me gjëra të tilla: “Trajneri është serb? Trajneri nuk ka pasaportë, sporti nuk ka pasaportë. Është e vërtetë që jemi staf serb, por punojmë me shqiptarë e lojtarë nga shumë vende. Për ne rëndësi ka vetëm të marrim rezultate pozitive dhe stafi i Kukësit është i përqendruar vetëm aty”.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.