“Guxo mos e hap telefonin”, Barcelona e ka seriozisht!

0

Celulari është kthyer në një problem të madh për të gjithë. Ka nga ata që nuk ia dalin pa të dhe detyrimisht rrjetet sociale, ndërsa klubet dhe trajnerët “vrasin mendjen” prej kohësh dhe marrin masa të ndryshme për të luftuar këtë varësi.

Barcelona ka një tjetër problem, pikërisht të kundërtën. Siç raporton “Marca”, klubi katalanas ka marrë një vendim për Osman Dembele. Kampioni i botës ka një ves të çuditshëm. 21-vjeçari është i talentuar në fushë, por i padisiplinuar jashtë saj.

Dembele preferon të luajë “play-station” me miqtë e tij dhe shpeshherë e zbardhin duke e bërë një gjë të tillë. Efekti ndihet te gjumi dhe si pasojë vijnë mungesat në stërvitje. Lojtari ofensiv e ka përsëritur një gjë të tillë te Barcelona, madje herën e fundit e teproi. Dy orë me vonesë në stërvitje dhe… 100 mijë euro gjobë nga klubi.

Lojtari ka një raport të keq me celularin dhe “harron” të përgjigjet. Vesi është i hershëm, kur ishte pjesë e Dortmundit, trajneri i atëhershëm, Piter Boz, u shpreh gjatë një konference për shtyp: “Dembele nuk është këtu me ne, nuk ka marrë pjesë në stërvitje. Ku është? Nuk e di, nuk përgjigjet në telefon, është zhdukur.”

Francezi ndodhet në formë, kundër Totenhemit shënoi golin e nëntë sezonal dhe Barcelona beson shumë te potenciali i tij. Drejtuesit e klubit e kanë ndarë mendjen dhe kanë vendosur një rregull të ri. Më shumë një plan “rehabilitimi”, sesa një masë ndëshkuese.

Lojtari nuk duhet ta fikë kurrë telefonin, madje as ta mbajë pa zile! Në çdo moment të ditës, madje edhe gjatë natës! Nëse e përsërit sërish dhe harron të zgjohet në kohën e duhur, Barcelona mund ta telefonojë dhe të marrë vesh se ku ka “humbur”. Por kujdes, klubi ka vendosur ta kontrollojë në çdo moment, ndërsa lojtari duhet të përgjigjet gjithmonë. Përndryshe, zilja e radhës mund të ketë pasoja të rënda…

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.