Guti po punon si zëvendës trajner i Beshiktashit në Turqi, por ai vazhdon të jetë një tifoz i thekur i Realit të Madridit. Ish-fantazisti kaloi 15 sezone në kryeqytetin spanjoll dhe ëndrra e tij e madhe është rikthimi në… stolin e Realit.
Në një prononcim për “Marca”, Guti flet për sezonin e vështirë të “Los Blancos” dhe rikthimin befasues të Zidanit në pankinë. 42-vjeçari komenton duelin e përjetshëm Mesi-Ronaldo dhe ka besim se një ditë do i vijë shansi të drejtojë nga stoli ekipin e tij të zemrës.
REALI – “Si një madrilen e kam përjetuar keq këtë sezon, që ishte i komplikuar pas disa viteve të mrekullueshme që përjetuam në Europë. Këto gjëra ndodhin në futboll dhe ciklet përfundojnë një ditë. Ishte e pashmangshme, thjesht duhej kuptuar nëse do të ndodhte këtë sezon apo në atë të radhës. Drejtuesit dhe stafi teknik duhet të tregohen të qetë dhe të gjejnë zgjidhjet më të mira.”
ZIDAN – “Rikthimi i Zinedin më befasoi. Ai ka bërë gjëra të mëdha për Realin dhe ka një miqësi të mirë me presidentin. Rikthimi i tij do i bëjë mirë ekipit dhe na ka lumturuar ne tifozëve.”
MERKATO – “Merkato është çmendur. Jo vetëm kartonët e lojtarëve, por edhe rrogat e tyre. Nëse i paguajnë këto lloj shifrash do të thotë që i prodhojnë aq para. Reali duhet të kuptojë se kush janë objektivat e tij reale në merkato. Talente ka në ekip dhe kualiteti i kontingjentit të lojtarëve është i madh.”
MESI-CR7 – “Unë i zgjedh të dy. Mesi është më i talentuar, ndërsa Ronaldo është një bomber absolut dhe ka më shumë ambicie. Unë mendoj se është e pabesueshme që Kristiano ka fituar pesë ‘Topa të Artë’ në epokën e Mesit.”
ËNDRRA – “Nuk e mohoj dot që dëshiroja të merrja një ftesë për të drejtuar Realin. Më ka shkuar në mend diçka e tillë gjatë këtij sezoni, por duhet që të tregoj shumë gjëra akoma. Besoj se një ditë do të kem mundësinë time. Shpresoj që të rikthehem një ditë dhe të bëhem trajneri i ekipit.”