Ndalimi i kampionateve si pasojë e ndeshjeve të kombëtareve është një problem i madh për klubet e mëdha. Ata kanë në përbërje shumë lojtarë që luajnë me shtetet e tyre, çka detyron trajnerët të punojnë me një kontingjent të cunguar lojtarësh.
Problemi më i madh mbetet dëmtimi i tyre, sidomos në fazën më delikate të sezonit. Pep Guardiola dhe djemtë e tij po zhvillojnë një sezon të pabesueshëm.
Mançester Siti është në garë për titullin kampion me Liverpulin (ka dy pikë më pak, por edhe një ndeshje më pak), fitimin e Champions Ligës dhe FA Cup, ndërsa ka fituar Carabao Cup në finalen kundër Çelsit.
Gjithçka po shkon vaj, por trajneri spanjoll ka një shqetësim të madh sa i përket këtij pushimi. Në një prononcim për ”The Sun”, ai pranon se i lutet Zotit, që lojtarët e tij të kthehen në një gjendje të mirë pas kombëtareve dhe të mos dëmtohen.
“Lutem, po. Lutem që futbollistët e mi të kthehen në gjendje të mirë. Kjo është e vetmja gjë që dua. Ata duhet të largohen, të luajnë për vendin e tyre dhe ta bëjnë këtë gjë me kënaqësi. Është çmenduri se çfarë kalendari kemi në prill, ja pse kemi nevojë për të gjithë”, përfundon Pep Guardiola.