E pabesueshme, por e vërtetë. Pep Guardiola ka gjetur portierin e dytë dhe bëhet fjalë për veteranin e Eibar, Asier Riesgo. 35-vjeçari nuk është një emër shumë i njohur dhe lajmi i publikuar sot nga spanjollja “Marca”, ka bërë bujë të madhe.
Pak ditë më parë, Mançester Siti vendosi të huazojë portierin e Kosovës, Arijanet Muriç, për të marrë një portier më me eksperiencë dhe me cilësi më të mira në rast se numri 1 Ederson dëmtohet. Por Pep ka habitur të gjithë, pasi ka zgjedhur veteranin e Eibar.
Për ta bindur trajnerin spanjoll, ka ndërhyrë trajneri aktual i portierëve të Maçester Sitit, Asnier Mansidor, një mik shumë i mirë i Riesgos. Dyshja kanë punuar më parë së bashku dhe siç raporton Marca, ka qenë Mansidor ai që ka insistuar për të marrë Riesgon në “Etihad Stadium”.
Pritet që portieri 35-vjeçar të nënshkruajë një kontratë 1-vjeçare me Mançester Sitin, për të kaluar më pas si trajner i dytë i portierëve. Le të shpresojmë që Ederson të mos dëmtohet, pasi Guardiolës do t’i duhet t’i besojë Riesgos për të luajtur në kampionatin më të fortë në botë.