Pasditen e nesërme do të luhet kryendeshja e javës së 16-të në Premier Ligë, ku Çelsi do të presë Mançester Sitin. Blutë e Londrës, janë në një moment të vështirë, teksa vijnë pas humbjes në fushën e Uolves dhe kanë humbur shumë terren me Liverpulin dhe Sitin javët e fundit.
Gjithsesi, në rast se te ekipi i Sarrit gjendja nuk është e duhur si pasojë e rezultateve të fundit, te Siti dhe te Guardiola gjendja nuk është e mirë pas lajmit të konfirmuar ditën e sotme. Serxho Aguero, i cili është i dëmtuar, nuk do të jetë gati për sfidën e nesërme. Shpresat ishin të mëdha që argjentinasi do të rikthehej për këtë ndeshje, por duket se ende nuk është rikuperuar.
Përballja do të luhet në “Stamford Bridge”, në orën 18:30. Mançester Siti udhëheq kampionatin momentalisht në kuotën e 41 pikëve, ku ndiqet nga Liverpuli me vetëm dy pikë më pak. Çelsi i Mauricio Sarrit ka zbritur në vendin e katërt tashmë në kuotën e 31 pikëve, dy më pak se Totenhemi i vendit të tretë.