Eros Grezda padyshim është një ndër lojtarët më të rëndësishëm të kombëtares sonë. Mesfushori i avancuar ka kaluar një vit mjaft të suksesshëm në vitin 2018, për sa i përket aspektit personal, teksa dhe kaloi nga Osijeku në një klub të madh si Gllasgou Rejnxhërs. Gjakovari ka folur së fundmi për “Supersport”, duke treguar për aventurën e tij në Skoci, si dhe për ecurinë e kombëtares.
TRANSFERIMI NË SKOCI – “Ishte një fillim i vështirë, duke pasur parasysh dëmtimin që më la jashtë për shumë kohë. Nuk isha në ritëm, por më pas nisa të luaja. Them se në fund e kam mbyllur në mënyrë të suksesshme”.
XHERARD – “E kam parë që fëmijë. Është ndjenjë e mirë që punoj me të. Është trajner dhe njeri shumë i mirë. Të sqaron dhe është shumë i afrueshëm. Të gjithë kemi raport të mirë me të”.
GOLI I PARË – “Ishte ndeshja e parë që luaja titullar. Aty gjithmonë stadiumi është i mbushur me 51 mijë tifozë. Nuk e kisha përjetuar kurrë një ndjenjë të tillë. Më erdhi besimi. Është një ndjenjë që i duhet një mesfushori apo sulmuesi”.
KOMBËTARJA – “Kishim vështirësi në krijimin e lojës së bukur me kombëtaren. Na ka munguar besimi dhe motivimi që kemi pasur në ndeshjet e shkuara. Edhe dëmtimet kanë ndikuar në eliminimin tonë. Trajneri ka pasur kohë dhe t’i shohë gabimet tona. Edhe ne besoj e kemi marrë vesh ku kemi çaluar. Shpresoj që ndeshjet e luajtura të na shërbejnë në kualifikueset e evropianit”.
PIKA MË E FORTË E SHQIPËRISË – “Besoj shumë te skuadra. E kemi treguar veten. Duhet të përsëritim lojërat e mira, të jemi një grup. Kjo është forca jonë më e madhe. Uroj të mos kemi dëmtime dhe të marrim rezultate të mira”.