“Gladiatori” Musolli, ftesë nga Përfaqësuesja e Kosovës

Titulli kampion për Kukësin ishte i pari dhe për pjesën më të madhe të lojtarëve të klubit verilindor. Në gjueti të suksesit për pesë sezone me radhë, me verilindorët kanë luajtur me dhjetëra futbollistë, por që nga debutimi në elitë vetëm tre ia kanë dalë që të “mbijetojnë” deri në realizimin e objektivit më madhor. Portieri Ervis Koci, kapiteni Rraman Hallaçi dhe mesfushori Besar Musolli, të tre këta futbollistë përjetuan në fundin e këtij sezoni benefitin e një aventure pesë-vjeçare. Koci dhe Hallaçi luajnë për skuadrën e qytetit të tyre të lindjes, ndërsa Musolli mund të quhet si i binjakëzuar me kampionët, pasi karriera e tij si profesionist lidhet vetëm me Kukësin.

28-vjeçari mund të konsiderohet pa frikë “gladiatori” i skuadrës së Kukësit. 169 prezenca numëron mes kampionatit, Kupës dhe ndeshjeve të Europës. Pas Hallaçit, renditet i dyti për nga numri i ndeshjeve të luajtura nën fanellën blu. Një përfaqësues i denjë i Kosovës, në skuadrën që ka jo pak mbështetje nga kosovarët. Kukësi dhe Kosova janë të lidhur shumë me njëri-tjetrin, sa disa vite më parë skuadra kuksiane mbante emrin Kosova. Fjalëpak dhe punëshumë, gjithnjë pjesë e patundur e formacionit që nga dita që ka mbërritur në verilindje. Për Musollin eksperienca në Kukës ka qenë e kënaqshme, pasi në asnjë moment nuk e vendosur në diskutim qëndrimin e tij. Vetëm 3 gola ka arritur që të shënojë si kuksian dhe të tre në kompeticionin e Kupës, por nëse nuk shquhet si një golashënues, mund të cilësohet si një digë e pakalueshme para mbrojtjes. Me qetësinë e tij dhe paraqitjet konstante ka fituar zemrat e tifozëve kuksiane.

PËRFAQËSUESJA
Një surprizë e këndshme ka ardhur për mesfushorin e lindur në Podujevë. Pas sukseseve të arritura në Shqipëri, duke fituar çdo trofe kombëtar, ai ka tërhequr dhe vëmendjen e stafit teknik të përfaqësueses së Kosovës. Siç njoftonte “Sport Ekspres” 2 ditë më parë, Musolli tashmë është surpriza e madhe e listës së Bunjakit. Performanca e tij gjithnjë mbi mesataren i ka mundësuar një ftesë për ndeshjen me Turqinë.

Risia e dytë e Kosovës është mbrojtësi i Romës, Lirim Kastrati, pasi 18-vjeçari ka zgjedhur Kosovën dhe është ftuar menjëherë. Kastrati ka qenë pjesë e Shqipërisë U-17 dhe në vitin 2015 mori pjesë në kualifikueset e Europianit, duke shënuar edhe një gol, por prej disa muajsh ka vendosur të përfaqësojë Kosovën.

No automatic alt text available.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *