Gjykata zvarrit procesin, Elbasanin e duan biznesmenë vendas!

Lajmin se në Elbasan do “zbarkojnë” dy biznesmenë shqiptarë për të financuar te skuadra e Elbasanit, SportEkspres.com e bëri publik ditë më parë, nëpërmjet presidentit të klubit, Arben Laze. Në atë deklaratë, Laze tregoi se dëshira e personave të tjerë për të marrë drejtimin e Elbasanit nuk mund të zyrtarizohet, sepse ende procesi gjyqësor me pronarët anglezë nuk ka përfunduar. Edhe këtë javë Gjykata nuk e ka patur në program këtë proces gjyqësor.

“Na janë afruar disa biznesmenë të fuqishëm shqiptarë, të cilët na kanë kërkuar të blejnë mbi 50% të aksioneve. Unë do ta mbaj një pjesë të tyre dhe këtë procedurë nuk duam ta zgjasim, me qëllim që skuadra të fillojë sa më parë përgatitjet për sezonin e ardhshëm.

Koha është e shkurtër dhe ne do shpejtojmë në maksimum. Jemi në kontakt dhe në pritje që ky gjyq të zhdukë hijen e rëndë që na lanë anglezët”, deklaratë kjo që presidenti Laze edhe sot e konfirmon dhe shpreson që gjithçka të zgjidhet sa më shpejt.

Zvarritja e gjyqit me anglezët i bën skeptikë në Elbasan, të paktën për rifillimin e sezonit të ri. Në Bashkinë e Elbasanit ngrejnë supet për një përgjigje, pasi  pushteti lokal i ka shitur të gjitha aksionet tek anglezët e Mançester Group dhe nuk kanë çfarë të thonë më shumë. Në zyrën e sporteve të tregojnë vetëm gjykatën, që ka vite që po e mban varur këtë klub.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *