Pas 22 javëve në kampionat, Besëlidhja është pozicionuar në vendin e dytë në grupin A dhe lezhjanët janë të bindur se skuadra e tyre është e denjë që deri në fund të këtij sezoni ta mbajë këtë pozicion. Më shumë i bindur për këtë synim është edhe vetë trajneri Vladimir Gjoni, i cili ka dhënë një prononcim për “SportEkspres.com”.
“Grupi A e zgjidhi verdiktin final, me Vllazninë kryesuese që sezonin tjetër do të luajë në Superiore. Ky ka qenë edhe synimi i Besëlidhjes, që u ndërtua pikërisht për të qenë ajo skuadra që do të ngjitej në elitë. Tashmë vendi i dytë duket më shumë si një synim moral”, u shpreh fillimisht ish-sulmuesi.
Besëlidhja këtë fundjavë luan në transfertë me Erzenin, ndërkohë që Gjoni përveçse e quan një sfidë të vështirë, deklaron se fitorja është objektivi kryesor. “Të gjitha ndeshjet janë të vështira në këtë fazë të tretë. Këtë javë në Shijak luajmë sfidën e radhës me shkallë të lartë vështirësie. Do luajmë për fitore, nuk kemi asnjë synim tjetër”.
AGRON KAJA