Kamza u mund një javë më parë nga Flamurtari, ndërkohë që nesër skuadra e drejtuar nga Ernest Gjoka do të presë në shtëpi Skënderbeun. Marrja e drejtimit të skuadrës periferike të kryeqytetit nuk ka qenë e lehtë, duke pasur parasysh mungesën e rezultateve.
“Jam munduar të ndryshoj mentalitetin e skuadrës dhe të lojtarëve. Na duhej të krijonim besim te vetja dhe të ecnim përpara. Kishim disa probleme të vogla, siç kanë qenë dëmtimet. Nuk është e lehtë të mos kesh disa lojtarë, por po mundohemi t’i rikuperojmë. Sërish kemi dy mungesa, Frashërin dhe Mehmetin me kartonë”, u shpreh fillimisht Gjoka në konferencën e sotme për shtyp.
Më tej ai analizoi korçarët: “Skënderbeu është një skuadër për t’u vlerësuar, pavarësisht humbjeve të fundit. Ata kanë lojtarë me shumë potencial, që dinë të dalin nga situatat e vështira. E kemi studiuar kundërshtarin dhe mund të them se kanë treguar nivel në lojë, i kanë menaxhuar mirë ndeshjet. Por ndoshta nuk kanë pasur fat. E kemi vlerësuar maksimalisht Skënderbeun. Duke bërë këtë, vlerësojmë edhe veten tonë. Lufta jonë është shumë e madhe me skuadrat rivale, në fundin e renditjes. Fitorja e Luftëtarit në Korçë e ashpërson më shumë garën për mbijetesë. Kuptohet, çdo skuadër bën luftën e vet, por ne i presim korçarët në fushën tonë dhe duhet të marrim maksimumin”.
GARA – “Mendoj se kampionati është shumë i fortë këtë sezon. Diferencat mes skuadrave nuk janë shumë të mëdha, kështu që nuk e kam parë në atë këndvështrim (tolerim i mundshëm i Skënderbeut ndaj Luftëtarit). Jam i fokusuar te skuadra ime dhe mendoj se kush jep maksimumin në një ndeshje, mund të fitojë ndaj cilësdo skuadër të Superiores. Një nga gjërat kryesore që kemi ne si popull është vuajmë shumë nga paranojat. Ne besojmë te puna jonë, tek ajo që bëjmë në fushën e lojës, jo në rrjetet sociale. Unë nuk e di që Skënderbeu të ketë lënë ndonjë ndeshje deri më sot, që ta bëjë edhe ndaj nesh. Di që pas humbjes me Luftëtarin trajneri Shehi ka ofruar dorëheqjen. Kjo do të thotë se në kësi problemesh nuk ka vend për diskutim”.
“Unë shikoj vetëm një gjë: ky kampionat është shumë i egër. Këtu kam parasysh se nuk është më ai Skënderbeu që ka qenë gjithë kohën, shumë i fortë. Nuk është ai Kukës që ka qenë gjithë kohën shumë i fortë. Shoh një Partizan që ka ndryshuar, por sigurisht nuk është Partizani më i mirë i viteve të fundit. Shoh edhe një Teutë që ka hyrë në vallen e titullit. Pra, kampionati është gjithnjë i hapur, pavarësisht hapësirave në pjesën e fundit të renditjes. Kampionati është shumë i fortë, ndaj ne duhet të vrapojmë e të djersijmë shumë për t’i realizuar objektivat. Edhe po të fitosh, edhe po të humbësh, këtu te ne do ta gjejnë një gjë, për t’ia vënë si “bisht” nga pas ndeshjes”.
LËVIZJET NË JANAR – “Tani ke shumë pak mundësi për të gjetur lojtarë të mirë e cilësorë. Dhe për të qenë shumë i sinqertë me ju, ne nuk kemi ndonjë buxhet të jashtëzakonshëm financiar. Ne jemi një klub modest dhe brenda kësaj modestie do të përpiqemi të gjejmë ndonjë lojtar për ta përforcuar skuadrën. Në këto dy faza kemi parë se, duke mos pasur shumë lojtarë në grup, kemi vuajtur herë pas here. Në fazën mbrojtëse kemi pasur shumë probleme edhe me dëmtimet. Ndoshta do të kërkojmë ndonjë mbrojtës për t’u përforcuar. Në pjesën përpara mendoj se jemi skuadër e mirë. Është thjesht çështje besimi dhe fati, që nuk kemi shënuar shumë gola. Askush nuk mund të thotë se Plaku dhe Martinena nuk janë sulmues goli”.