Ernest Gjoka foli pas ndeshjes me Laçin në emisionin “Gol pas Goli”, në “Supersport”, teksa tregoi se skuadra e kishte të domosdoshme për të mos dalë pa pikë në këtë takim.
TAKIMI – “E kishim ndërtuar ndeshjen që të mos dilnim pa pikë. Ishte diçka e mirë që të mos mundeshim, të merrnim barazimin apo të kërkonim fitoren. E arritëm këtë gjë. Ishte ndeshje e egër dhe e fortë. Skuadra bëri detyrat dhe, nga ana e disiplinës taktike, ekipi i zbatoi detyrat me përpikëri”
PLAKU – “Sebino shumë shpejt do të dalë te goli. Sakrifikoi dhe në mbrojtje dhe ishte lodhje e dyfishtë. Laçi ka një ekip të mirë dhe është agresiv. Në ato raste që pati nuk arriti dot ta gjente rrugën e rrjetës”
DUELI – “Kishte dyluftime dhe lojë të fortë. Kishte dyluftime në ajër shumë të fortë. Ky është agresiviteti në sport. Për këtë qëllim kishte agresivitet loja. Nëse do të kishim pak më shumë qetësi, mund të kishim shënuar. Loja ndaj është kaq e bukur se, jo gjithnjë ato që duam ne na dalin në fushë”.
PIKA – “Kjo pikë na duhej me patjetër, që të kthenim moralin, besimin e humbur që e kërkonim prej kohësh. Ishim të çoroditur dhe kjo do të jetë një pikë oksigjeni. Javë e ardhshme kemi një ndeshje si finale dhe duhet ta kalojmë me sukses, pasi në të kundërt nuk ka vlerë. Ne akoma jemi në ato ujëra aq të turbullta, që duhet të bëjmë akoma dhe më mirë që të marrim ajër”.