Trajneri i Kukësit, Ernest Gjoka, ka folur në konferencë për shtyp para ndeshjes së kthimit kundër Debreçenit, ku tha:
KULIFIKIMI – “Arsyet janë të shumta. Arsyeja kryesore është që nëse arrijmë të kualifikohemi, nuk i japim të mira vetëm ekipit të Kukësit, por të gjithë futbollit shqiptar. Por nuk do të jetë e lehtë, pasi përballë kemi ekipin e Debreçenit. Ne bëmë një ndeshje shumë të mirë atje në fazën sulmuese, si asnjëherë tjetër, por nuk patëm fatin me vete. Jemi përballë realitetit që duhet ta pranojmë, është 0-3. Do të duhet një sakrificë të madhe dhe pak fat që të shkojmë te goli”.
KEQARDHJE – “Keqardhja është shumë e madhe, pasi ekipi zhvilloi një ndeshje shumë të mirë. Ishte një nga ato ndeshjet në Kupat e Europës që ekipet shqiptare bëjnë paraqitje dinjitoze. Por futbollit është i pamëshirshëm. E kemi studiuar sërish kundërshtarin, do ta kërkojmë deri në fund kualifikimin. Duhet të kemi shumë kujdes, pasi kundërshtari është i rrezikshëm”.
RAMA – “E dimë kush është Valdet Rama, është një lojtar me cilësi të mëdha. I kemi ndryshuar rolin, e kemi kaluar sulmues. Nëse në Debreçen nuk pati fatin para porte, shpresojmë që ta ketë nesër. Jemi me shumë fat që e kemi në skuadër, një lojtar që i jep shumë futbollit shqiptar”.
SFIDA E KTHIMIT – “Nuk kemi çfarë kursejmë më, do të luajmë gjithçka për gjithçka. I kam kërkuar skuadrës që ta fitojë me patjetër këtë ndeshje, qoftë edhe për moral. E kam parë te skuadra dëshirën për të fituar, mendoj se do t’ia dalim nesër”.
SYNIMI – “Një nga egot e mia personale është që të shkoj drejt një grupi të Europa League, siç kanë shkuar 2 kolegë të nderuar të mitë. Kam kaluar ture, por më duket se jam i pafat. Edhe me Flamurtarin, edhe ky vit. Nga ekipet që kishim në short, na ra Debreçeni. U munduam të merrnim maksimumin në ndeshjen e parë, nuk ia dolëm. Shpresoj që fati i munguar gjatë gjithë këtyre viteve të na vijë nesër”.
PRESIDENTI – “Unë nuk jam në presion për kualifikim. Kukësi ndërtohet gjithmonë për të ecur përpara. Gjici është egoist dhe do që të arrijë gjithçka, por jo gjithmonë çfarë synon, e arrin. Nëse në futboll ecin gjërat me presion, asgjë nuk rregullohet, vetëm prishet. Presidenti do gjithçka, unë jam më i balancuar, mundohem ta mbështes skuadrën”, përfundoi Gjoka.