Pas lajmit për takimin Gjici-Gjoka dhe vendosmërisë së presidentit për të vazhduar punën e nisur me trajnerin aktual, “Sport Ekspres” ka komunikuar me trajnerin Ernest Gjoka, i cili ka konfirmuar gjithçka, duke folur shkurt: “Po, është e vërtetë, kemi pasur një takim të planifikuar prej ditësh, që pas mbylljes së kampionatit. Kontrata ime kishte përfunduar, ndaj kishte edhe shumë spekulime në media, por presidenti ma konfirmoi që nuk kanë asnjë bazë dhe më ka kërkuar që të vazhdoj punën. Tani jam duke menduar për merkaton dhe emrat që na duhen me urgjencë, sepse shumë shpejt duhet të grumbullohemi dhe skuadra që doli kampion ka nevojë për përforcime, për të qenë ambiciozë fillimisht në kupat e Europës”.
I pyetur në lidhje me të ardhmen afatgjatë, Gjoka nuk bën plane: “Mendja ime është te ndeshjet në Champions League. Nëse kemi pak fat në short, do të tentojmë të bëjmë diçka të madhe. Nëse na ecën keq, është e qartë që jam unë i pari që do të kërkoj një takim presidentit, për të evidentuar problemet dhe për të vendosur për të ardhmen. Nëse presidenti beson te projekti që kemi nisur, atëherë do të vazhdojmë, edhe më ambiciozë sesa sezonin e sapombyllur”.
Zyrtarizimet, para datës 12
Nuk ka aspak kohë për të humbur, pasi ndeshja e parë në Champions është vetëm pas pak më shumë se një muaji. Deri më tani merkato ka qëndruar e ngrirë te Kukësi, por tashmë që Gjoka u konfirmua përsëri në detyrën e tij do të nisin dhe lëvizjet e para. Lista e largimeve është përgatitur dhe duhet vetëm firma e Gjicit, i cili tashmë ka filluar të mendojë dhe për skuadrën. I vetmi që është larguar zyrtarisht nga Kukësi është ai i Kushtrim Lushtakut. Nëse në dalje situata është më e qartë, në hyrje ende nuk mund të flitet për afrime.
TELUSHI – Ish-kapiteni i Flamurtarit ka qenë një dëshirë e vjetër e verilindorëve, por tashmë duket se ai është më pranë se kurrë me kampionët. Trajneri Gjoka e njeh mirë dhe mund të ndikojë në zgjedhjen e tij, megjithatë gjithçka do të vendoset mes presidentit të Kukësit dhe mesfushorit, pasi në mes janë dhe detajet financiare, të cilat kanë jo pak rëndësi. Planet mund t’i prishë vetëm ndonjë ofertë nga jashtë vendit.
PISTAT E HUAJA – Kukësi nuk do të bëjë ndërhyrje pa fund në merkato, megjithatë pretendimet e mëdha në arenën europiane e shtyjnë që të kërkojnë lojtarë të denjë. Mungesa e alternativave të shumta në kampionatin tonë ka bërë që kuksianët të hedhin vështrimin kryesisht në tregun e huaj. Preferencat janë Kroacia dhe Serbia, kjo dhe për faktin se përshtatja e lojtarëve nga këto vende me futbollin shqiptar nuk do të kërkojë shumë kohë.