Kukësi ka peshkuar Sherifin e Tiraspolit në turin e dytë kualifikues në Champions League dhe në letër duket rivali më i lehtë i mundshëm, por nuk ka vend për eufori, përkundrazi.
Trajneri i klubit kampion, i kontaktuar nga “Sport Ekspres” pas hedhjes së shortit, është optimist, por nga ana tjetër nuk është aspak i qetë, duke parë se rivali mund të konsiderohet i lehtë për t’u kaluar.
“Përballemi me një klub të madh, që ka një buxhet shumë herë më të madh se gjithë klubet shqiptare dhe ka një eksperiencë të jashtëzakonshme. Di që në shekullin e 21-të e kanë humbur vetëm një herë titullin, duke fituar 15 nga 17 kampionatet e fundit, ndoshta rekord i gjithë kohërave.
“Dinamo në vitin 2010 kishte një skuadër të shkëlqyer dhe nuk ia doli, duke u eliminuar nga Sherifi, që ka shkuar dy herë në grupet e Europa League dhe di që ka një bilanc mjaft të mirë edhe në Champions League, pavarësisht se nuk ka mundur asnjëherë të shkojë në grupe, por vitin që eliminoi Dinamon tonë, vetëm me 11-metërsha u mund nga Dinamo e Zagrebit, në turin final para grupeve në Champions.
“E pranoj që mund të na shkonte edhe më keq, duke parë shortin, por në asnjë mënyrë nuk duhet të mendojmë se ishim me fat, pasi rivali është shumë serioz dhe duhet impenjim maksimal. Uroj që të kemi edhe pak fat, por tani duhet të punojmë fort në fushë e në merkato, përveçse të studiojmë mirë kundërshtarin, që me sa di unë, ka trajner italian me shumë eksperiencë, ndaj niset favorit”.