Fatlum Nurja, një nga anëtarët e këshillit bashkiak në Bashkinë Shkodër, para dy ditësh hodhi një propozim në mbledhjen e Këshillit Bashkiak: “Nga sa kam parë, Bakaj paguhet 20 mijë euro për një periudhë 5-mujore. Nisur nga refuzimi për të luajtur në ndeshjen e kampionatit me Tiranën, kam mësuar se një veprim i tillë mund të ndëshkohet sipas pikave të kontratës”, ka thënë ndër të tjera Nurja.
Megjithatë, me një analizë të shkurtër, duket qartë që në këto deklarata ka thjesht populizëm dhe aspak informacion mbi atë që flitet. Duke iu referuar kontratës së Bakajt me Vllazninë, së pari ajo ka qenë 4-mujore, nga 1 shkurti deri në 31 maj, ndaj që dje Bakaj ka mbyllur llogaritë me Vllazninë.
Së dyti, nga burime në klubin Vllaznia mësohet se Bakaj nuk është paguar 20 mijë euro, por rreth 10 mijë euro, që do të thotë rreth 2.500 euro në muaj, por edhe kjo shifër ka qenë bruto.
Së fundi, në Shkodër e Tiranë e dinë shumë njerëz, por ndoshta politikanët nuk e kanë idenë: Bakaj nuk është paguar nga klubi Vllaznia, por nga një dashamirës i tij dhe i Vllaznisë.