Gjilani është në kërkim të një sulmuesi dhe drejtuesit po punojnë të gjejnë një cilësor që t’i ndihmojë në arritjen e objektivave. Skuadra e drejtuar nga Gentian Mezani ka bërë disa përforcime cilësore, kryesisht nga Superiorja.
Së fundmi në Gjilan ka mbërritur edhe një sulmues dhe ai është Jurgen Peqini. Futbollisti nga Elbasani ishte pjesë e Erzenit në pjesën e dytë të sezonit të fundit. 20-vjeçari u aktivizua në dhjetë ndeshje me shijakasit dhe realizoi vetëm një gol.
Peqini ka spikatur me moshat e Elbasanit dhe më pas kaloi në ekipin e parë, duke shënuar katër gola. Teuta i ofroi kontratë dhe me durrsakët realizoi tre gola në 6 ndeshje (1 titullar). Te “djemtë e detit” sulmuesi nuk pati hapësira, ndërkohë që këtë verë u la i lirë dhe tashmë po provon të bindë Mezanin t’i bëjë një vend te Gjilani.