Gjici kundër Takaj? Rifillojmë…

Dueli i presidentëve me impaktin publik më të madh në 5 vitet e fundit. Duele, batuta, sfida dhe trofe

Në verën e vitit 2012 Safet Gjici u ul në zyrën e tij pranë Gardës së Republikës dhe mendoi: Po sikur ta mbaj klubin vetëm?! Letrat shpejt e shpejt. Shoqëri aksionere, e drejtë vendimmarrjeje, stadium i ri dhe një skuadër konkurruese. Kukësi! Kush do e kishte besuar! Gjatë verës, pa asnjë droje, doli në televizion dhe tha: “Do shkojmë në Europë që vitin e parë”. Ndonjë guximtar ia tha në sy: “Qenke ëndërrimtar, sa na kanë parë sytë si ty”.

Në të njëjtën verë, Takaj ndezi puron e zakonshme dhe në shoqërinë e frutave të detit, djalit dhe bashkëshortes i pa në sy dhe tha: Po sikur ta mbajmë vetëm Skënderbeun?! Zeqo sapo kishte dhënë dorëheqjen. Ndonjë guximtar ia tha troç në televizion: Kurrë nuk ke për ta bërë atë që bëri Gimja. Shpejt e shpejt një mbledhje me lojtarët, ndryshim trajneri dhe dy-tri blerje interesante. Asnjë përgjigje për skeptikët dhe menjëherë titull që në vitin e parë. Madje pa asnjë polemikë.

Në verën e 2016-ës Safet Gjici dhe Ardjan Takaj udhëtuan drejt Lensit, në Francë, për të parë nga afër një ndeshje të Shqipërisë në Europian. Shqipëri-Zvicër 0-1. Në këto 4 vite që nga ajo verë e përbashkët në koncept kishin ndodhur shumë gjëra. Kukësi i Gjicit u bë skuadra e parë që kaloi tre ture radhazi në Europë duke shkuar në play-off të Europa Ligës, Skënderbeu kishte shkuar jo vetëm në play-off por dhe në grupet e të njëjtit aktivitet. Brenda vendit Takaj kishte fituar 4 kampionate, Gjici kish dalë 3 herë i dyti dhe një herë i treti, kishte fituar Kupën e Superkupën. Në 3 finale kupe kishte qenë gjithashtu prezent. Të dy bashkë kishin arkëtuar rreth 12 milionë euro nga UEFA, pavarësisht se gjithsesi shpenzimet ishin shumë të mëdha. Guximtarët e 2012-ës duhet të fshiheshin, sepse ata kishin të drejtë. I nënvlerësuam me të padrejtë.

Atje në Lens, nën emocionet e Kombëtares, ashtu si shkarazi Gjici mësohet t’i ketë thënë Takajt: “Boll më, këtë radhë do fitoj unë”. Takaj nuk e morri seriozisht, nënqeshi dhe tha: “Ti ikën nëse fiton titullin, unë nuk dua që ti të ikësh!”.

Shakaja është gjysma e së vërtetës. Gjysma tjetër ndodhi në sezonin pasardhës. Gjici fitoi dhe e ngushtoi disi diferencën në tituj me Takajn. 4-1. Nuk ishte një “gol nderi”. Ndeshja nuk ka mbaruar dhe do rifillojë sërish këtë sezon. Për të qenë 5-1 ose 4-2, me lejen e Partizanit apo ndonjë tjetri. “Nuk do lodhem derisa të barazohemi”, thotë Gjici. “Ndeshja ka nisur e barabartë por nuk mund të mbarojë kur do Takaj”. Ndeshja e tyre ka nisur në 2012. Shpresojmë të mos mbarojë asnjëherë. Për ne fituesi nuk ka shumë rëndësi.

Ky është një çift presidentësh shumë interesant. Investimet që kanë bërë në infrastrukturë, klub e lojtarë kanë qenë të mëdha, por më shumë se kaq, që të dy kanë investuar për të krijuar një klimë mediatike të këndshme. Dy vite më parë, Alban Xhihani mendonte se duhej t’u lutej që ata të ishin bashkë në tribunën VIP duke dhënë një intervistë direkt në “Gol pas goli”. Nuk u lodh fare. Ata e dinë rëndësinë e kamerave. Ia dhanë intervistën me kënaqësi, duke bërë batuta me njëri-tjetrin.

Ok, Takaj kuptohet sepse ka qenë pronar televizioni – kujto TVA – por ajo që habit është sjellja mediatike e Gjicit. Brenda një çehreje disi të rëndë, apo ndonjë toni arrogant, fshihet një disponibilet i madh për të folur gjithnjë, për të qenë i pranishëm dhe për të mos u bezdisur nga kritikat. “Askush nuk i ka qejf, por unë e kuptoj që media ka punën e saj”.

Nuk mund të thuash me saktësi nëse janë apo jo miq. Patjetër që janë partnerë në rrugëtimin e tyre nën moton: armiq në fushë, miq jashtë saj! Sezonin e shkuar patën disa replika më shumë. Takaj akuzoi Gjicin për ndeshjen direkte, ndërsa Gjici, me qetësinë olimpike që thotë se e ka mësuar prej Takajt, iu përgjigj: “A nuk është më bukur kështu, nëse fiton gjithnjë Takaj as për ju nuk është lajm”.

Presidentët më të suksesshëm të futbollit shqiptar do ulen sërish në tribunën kryesore në stadiumin e Kukësit për të luajtur aktin e parë të një dueli që sërish mesa duket do t’i shohë protagonistët. “Të paktën ta marrë një nga ne të dy – i thotë Takajt Gjicit duke i shkelur syrin – ndërsa Safeti me gishtin tregues që e tund i thotë: “Ka filluar remuntada, do të përmbys disavantazhin 4-1”. Takaj ndez puron dhe e sheh Gjicin në sy: “Si t’u duk ndeshja e së enjtes”. Një lloj nënteksti. “Ti fitove kampionatin, por unë po luaj në grupe”.

Sikur gjithë futbolli shqiptar – me të mirat dhe të këqijat e tyre – t’i ngjasojë këtyre dy njerëzve, madje dhe raportit mediatik që kanë krijuar apo profilit, nuk do ishte keq. Investime, futboll, stadium, ndeshje të mira ndërkombëtare dhe batuta e replika në TV. Kur i sheh më pas që shtrëngojnë dhe duart e kupton që ata kanë kuptuar se si i duhet dhënë kuptim kësaj loje. “Është vetëm futboll”, të thonë që të dy sapo mbaron ndeshja. Kur qëndrojnë vetëm Takaj edhe i thotë ndonjëherë: “Atë Jorgjin sa e pagove?”. Gjici nuk tutet. “Na thuaj si i fitove 4 kampionate, të të them si e fitova një”. Këta të dy, po që janë tipa interesantë. S’ka nevojë të thuash që shpresojmë të mos lodhen me futbollin . Ata nuk bëjnë dot më pa futbollin, tani mësuan “drogën” e jetës. Nuk e lënë dot kurrë.

Gjergji Stefa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online