Humbja me Tiranën i ka zhgënjyer kuksianët. Presidenti Safet Gjici është nga ata që do vetëm fitore dhe hapur e ka shprehur se stafi nuk ka asnjë justifikim nëse nuk shpallen kampionë. Tanimë situata është bërë e vështirë, pasi Partizani është shkëputur me 8 pikë.
Në lidhje me humbjen e Kukësit dhe zërat për të ardhmen e trajnerit Armando Cungu, vetë presidenti Gjici ka sqaruar gjithçka: “Ishte një hap shumë fals me Tiranën, nuk e besonim kurrë që do humbnim. Njerëzit dhe gabojnë, edhe trajneri, por me një të gabuar nuk mund të themi se trajneri nuk e ka besimin tim. Të gjithë gojët e liga që thonë e hoqi sot, e hoqi nesër, e kanë shumë gabim”.
Edhe pse vetëbeson Cungun, Gjici ka edhe një kërkesë: “Pres që trajneri të rri më afër ekipit dhe mos të shkojë çdo ditë në Shkodër. Mos të lëvizë çdo ditë vajtje-ardhje, por të qëndrojë këtu në Tiranë. T’i përkushtohet ekipit, se është një ngarkesë e madhe të shkosh çdo ditë në Shkodër”.
Kukësi nuk luan në shtëpi dhe në intervistën e dhënë për “Report TV” Gjici thekson se nëse do i zhvillonin takimet në “Zeqir Yneri” do të ishin shkëputur ndjeshëm nga Partizani. “Po të kishim luajtur në Kukës, të jeni të bindur se sot do ishim +10 pikë më shumë se Partizani”, shtoi numri një i klubit verilindor.
Sa i takon punimeve në stadiumin e ri, Gjici deklaron: “Besoj se në 15-20 shkurt do të fillojë prishja e godinës së vjetër dhe më pas do nisë me shpejtësi ndërtimi i stadiumit të ri. Do jetë më të gjithë standardet europiane”.
Në fund presidenti i Kukësit komentoi edhe zgjedhjen e kreut të FSHF-së, Armand Duka, në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s: “Gjithë shqiptarët dhe gjithë Shqipëria duhet të gëzohet pasi për herë të parë një person nga vendi ynë bëhet pjesë e qeverisë së futbollit Europian. Nga kjo Shqipëria do të përfitojë shumë”.