“Gjenerali” Shameti, katër sezone për tre trofe

0

Kontrata i ka përfunduar, dëshira e tij është që të vazhdojë dashurinë me Kukësin, ndërsa në krahun tjetër edhe kampionët sigurisht që nuk do të nxirrnin jashtë planeve zëvendës kapitenin e tyre. Në katër sezone me Kukësin, Ylli Shameti është kthyer në një gjeneral, në sytë e të gjithëve. Luftarak, i etur për sukses në çdo takim, një nga beniaminët e tifozëve, Ylli Shameti pa dyshim është një nga ato lojtarë që shumë skuadra do e donin. Nuk janë të paktë ato tifozë që nëse i pyet për Shametin, të thonë “sikur të kishim 11 si ai në fushë, titullin do e mbyllnim që në dhjetor”. Shokët e tij të repartit e kanë cilësuar dhe si shefin e mbrojtjes dhe kjo shihet dhe nga kritikat që bën gjatë çdo ndeshje. Edhe pse e gjithë karriera e tij si profesionist është mjaft e pasur dhe gjithnjë ka qenë pjesë e elitës së futbollit shqiptar, trofetë i kanë munguar.

Në një rrugëtim katër-vjeçar që duket i destinuar që të vazhdojë, Shameti arrit që t’i fitonte të gjithë trofetë kombëtarë, ashtu si Kukësi, për të parën herë. Një mbrojtës nuk e ka të përcaktuar moshën se kur mund të tërhiqet nga futbolli, por për një 33-vjeçar fitimi i të gjithë trofeve në një moshë të tillë nuk është pak, madje mund të konsiderohet dhe si marrja e fryteve të një pune shumëvjeçare, për të arritur majat, ose korrja e asaj që është mbjellë. Kjo e fundit mund t’i shkojë më shumë, pasi presidenti i Kukësit, Safet Gjici, i ka vendosur një nofkë të çuditshme. “Traktori i skuadrës”, kështu preferon bosi i kuksianëve ta cilësojë gjirokastritin, që tashmë veç valles së Kukësit që e ka mësuar mirë, nuk nguron të tregojë se ka mësuar dhe dialektin verilindor, pasi në foto e tij që poston jo rrallë i shoqëron me një “or ti”. Duhej bashkuar Shameti dhe Kukësi që së bashku të fitoheshin trofe. Së bashku me kapitenin Hallaçi po përfundojnë kursin e trajnerit dhe këpucët mund të varen në gozhdë së shpejti, por grinda e tij nuk e tregon aspak moshën në fushë, çka do të thotë se “traktori” i Kukësit, ndryshe nga kapiteni Hallaçi që ka deklaruar se në fund të këtij sezoni do të tërhiqet, mund të shtyjë për pak më gjatë divorcin e përhershëm me futbollin e luajtur.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.